Siç ka ndodhur në çdo protestë tjetër të mbajtur nga opozita, Kryeministria ka marrë masat e saj për të siguruar hyrjen e godinës. Kjo ka ndodhur pasi vetë PD-ja ka njoftuar se nisja e tubimit do të jetë përballë Kryeministrisë, e më pas sipas saj do të përhapet në rrugët e kryeqytetit.
Fotoja e mësipërme paraqet dyert e kryeministrisë, të cilat janë të ‘blinduara”, ndërsa instalacioni i kërpudhës që ndodhet në lulishten e këtij institucioni është hequr.
Mbi 1500 forca të policisë, duke nisur nga ato të rendit, FNSH, Shqiponjat do të jenë në terren për mbarëvajtjen e protestës. Në gatishmëri do të jenë edhe forcat RENEA. Po ashtu edhe Garda e Republikës do të jetë e gjitha në gatishmëri për të kryer detyrën në ruajtjen e institucioneve.
Ndërkohë në protestë të gjithë efektivët do të jenë të pajisur me maska kundër gaz. Do të ketë edhe 5 autobotë me ujë nëse do të ketë nevojë në raste incidentesh.
Si në çdo protestë do të krijohet kordoni me efektivë policie para kryeministrisë dhe perimetrit rreth saj. Në terren do të përfshihen edhe agjentët civilë, për të monitoruar mbarëvajtjen e protestës.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, u ka dhënë disa porosi shefave të Komisariateve dhe të Drejtorisë Vendore të Përgjithshme të Tiranës, lidhur me protestën e thirrur nga opozita që do të mbahet pasditen e sotme në orën 18:00 përballë Kryeministrisë.
Mesazhi i Prodës për forcat policore është që të mos provokohen nga protestuesit, teksa ndërhyrjet duhet të jenë vetëm në raste nevoje, në mënyrë që të mos ketë përplasje të nxitura.
Kryepolici shprehet se efektivët e terrenit duhet të ruajnë qetësinë ashtu sikurse dhe godinat e institucioneve.
Sakaq, porosia e fundit e Prodës është që të ketë një kujdes me personat të cilët kanë precedentë të mëparshëm penalë e të mbahen nën vëzhgim.