Katër ushtarë janë vrarë dhe 58 janë plagosur në një sulm me dron që synonte një bazë ushtarake në veri të Izraelit, kanë thënë Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF).
IDF shtoi se shtatë ushtarë ishin plagosur rëndë në sulmin në një bazë “në afërsi të Binyamina” – një qytet rreth 20 milje (33 km) në jug të Haifës, shkruajnë mediat e huaja.
Ndërkohë janë publikuar imazhe që thuhet se tregojnë pasojat e sulmit.
Sulmi thuhet se goditi mensën e bazës ushtarake në darkë kur ajo ishte plot me njerëz.
Hezbollahu ka marrë përgjegjësinë për sulmin, për të cilin tha se kishte në shënjestër një kamp trajnimi të Brigadës Golani të IDF-së në zonë, e cila është e vendosur midis Tel Avivit dhe Haifës.
Zyra e medias e grupit të armatosur tha se sulmi ishte në përgjigje të sulmeve izraelite në Libanin jugor dhe Bejrut të enjten.
Grupi tha se kishte shënjestruar kampin në Izraelin verior duke përdorur një “tufë dronësh”.
Sulmi ishte një nga më të mëdhenjtë në një pozicion izraelit në më shumë se një vit.
Ndërkohë shërbimi izraelit i ambulancës tha më herët se 61 persona ishin plagosur në sulm – duke përfshirë tre në gjendje kritike.
Ai shtoi se 37 prej tyre ishin dërguar në tetë spitale rajonale, ose me ambulancë ose helikopter.
Disa media izraelite kanë raportuar se baza u godit nga një “dron i nivelit të ulët” i lëshuar nga Libani – një armë relativisht e pa sofistikuar që duket se nuk ka aktivizuar alarmet e paralajmërimit të hershëm.