Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ishte e pranishme në shkollën 9-vjeçare “Myredin Bashalli” në Lin të Pogradecit, e cila ka ndryshuar është rikonstruktuar nga fondi i kësaj ministrie.
Manastirliu u shpreh se investimet në infrastrukturëm shkollore janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e procesit arsimor dhe përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies.
“Jemi shumë të kënaqur që fëmijët tashmë jo vetëm kanë kushtet e duhura, por edhe mësuesit kanë mundësi të punojnë në kushte shumë më të mira. Kjo rrit cilësinë e mësimdhënies dhe na mundëson të ofrojmë kujdesin maksimal për çdo nxënës,” u shpreh Manastirliu.
Ministrja, Manastirliu u ndal te programi i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, “Shkolla, qendër komunitare”.
“Shkolla, qendër komunitare, është një program i yni, që falë investimit që kemi bërë në këtë shkollë edhe ajo është tashmë një hapësirë e hapur për të gjithë komunitetin, ku do të zhvillohen aktivitete të ndryshme kulturore, artistike, por edhe sportive.”, tha Manastirliu.
Në kuadër të këtij transformimi arsimor në Qarkun e Korçës, Manastirliu tha se po realizohen investime në pesë shkolla të tjera, duke përfshirë Bashkinë Korçë, Bashkinë Maliq, dhe Bashkinë Pogradec, me qëllim përmirësimin e infrastrukturës dhe ofrimin e një mjedisi më të mirë për nxënësit dhe mësuesit.