Opozita ka vazhduar me kritika ndaj pushtetit, ku ka akuzuar se Lëvizja Vetëvendosje ka bashkëpunuar me Listën Serbe, akuza këto pas publikimit të disa audio-incizimeve ndërmjet shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari Lila dhe ish nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq.
LVV përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se LVV ka bërë ndryshime në veri, dhe prandaj opozita ka siklet me Qeverinë Kurti.
“Shumëçka ka qenë përherë e mundshme por nuk është bërë asnjëherë nga qeveritë e mëparshme. Kjo për shkak se gjithmonë kur është folur për Mitrovicën gjithnjë është folur për ndarjen ose ‘Zajednicën’ Dhe për shkak se bashkëpunëtorët e Listës Serbe dhe Radojçiqit bashkë me Serbinë kanë përfituar nga mungesa e sundimit të ligjit në atë pjesë. Tashmë, ndryshimi i gjendjes në veri është i qartë dhe këtu ka një siklet të madh me Qeverinë Kurti nga kjo opozitë”, ka pohuar LVV.
Tutje, në reagim thuhet se “Sepse pafuqinë e mbjellur në popull për Mitrovicën e ndarë si fakt i pamohueshëm kjo qeveri e përmbysi duke e kthyer atë zonë në pjesë të Republikës së Kosovë, me rend e ligj dhe mbi të gjitha jetë normale për çdokënd pa dallim”.
“Dhe kjo është e mundur veç kur nuk ke varësi as nga Lista Serbe e as nga Beogradi”, përfundon reagimi.