Elizabetë Qarri
Në këtë datë simbolike kur me respekt e mirënjohje kujtojmë misionin tuaj të shenjtë, më shumë sesa thjeshtësisht një pohim, kujtojmë sakrificën dhe përjekjet tuaja ndër vite prej nga me përulje dhe detyrim të përjetshëm të dalë nga sinqeriteti njerëzor, shprehim mirënjohjet tona më të thella për ju!
Të dashur mësues, jeni ju të ata që na mësuat ta duam alfabetin tonë, jeni ju ata që na mësuat ta duam atdheun tonë. Jeni ata që përveç dijes e vlerave më sublime si respekti e dashuria njerëzore, na mësuat që përmes vërtetësisë së tyre të njohim edhe anën e kundërt të medaljes. Na mësuat se rruga e vetme për të arritur drejt suksesit është puna. Na mësuat se i dijshëm të quajnë vetëm atëherë kur gjithçka ke ndërtuar me punën tënde, me mundin tënd, me sakrificën tënde. Jeni ju ata që na mësuat se ka vetëm një rrugë të ndershme për t’u quajur i sukseshëm, e ajo është rruga meritore. Jeni ju ata që edhe në kohët më të rënda për popullin shqiptar, bëtë sakrificën më sublime njerëzore, edukuat fëmijët tanë ani pse jo rrallëherë në kundërvlerë fituat vetëm satisfakcionin moral e shpirtëror, atë të mbajtjes gjallë të arsimit e kulturës shqiptare, por jetuat me ideal. Jeni ju ata që me fanatizëm e të bindur, na mësuat si duhet ruajtur gjuha amë. Ndryshe, mbase edhe nuk do të flisnim më shqip.
Kur regjimi serbomadh na dëboi me dhunë nga shkollat e institucionet tona, ishit ju ata që nuk kursyet asgjë vetëm për mbajtur gjallë shkollën shqipe. Ishin këto kohë kur ditarët me mbishkrimin Republika e Kosovës, i fshihnim në trupat tanë për të kaluar kështu çdo ditë pranë kordonëve policorë. As më pak e as më shumë, kjo ishte sfidë me jetën. Ishte detyrimi më suprem që i kishim vënë vetes, i nënshtroheshim çdo mëngjes. Madje, nuk kishte gëzim më të madh se kur arrinim gjallë në shkollën shtëpi, hynim në klasë dhe numronim pahetueshëm nxënësit tanë për tu siguruar se i kemi apo jo në numër, madje pa lënë të kuptojnë ata për brengën tonë, p.sh. në shkollën shtëpi e cila ndodhej në afërsi të teatrit Dodona (shkolla e muzikës “ Prenk Jakova”, dikur ”Stevan Mokranjac”), kishim një “dërrasë të zezë” (tabelë shkumësi) ku për të shkruar në të një kolegë imi profesor i respektuar tashmë në pension, detyrohej të ulej në gjunj për të shkruar, pasiqë tavani i shtëpisë ishte i ulët, muret ishin të vjetra dhe ishte e pamundur të veprohej ndryshe. Ani pse jo pak kohë, punuam pa u shpërblyer edhe materialisht, por ishte entuziazmi e shpresa ajo që na mbante. Kishim synime të qarta, e dinim çfarë donim! Por, si asnjëherë më parë ndodhi ajo që pritej. Kauza jonë e përbashkët kombëtare e mbi të gjitha e sublimuar me bujarinë e pafund të mërgatës sonë shqiptare, në momentet më të rënda tha fjalën e vet. Mërgata jonë si gjithnjë me mendje e zemër nga atdheu, u mobilizua dhe u solidarizua me ne, krijoi fondin e veçantë vetëm e vetëm për të na mbajtur gjallë, e bashkë me rëndesën tonë materiale dhe arsimin shqip, mbajti lart edhe moralin tonë .