Gazetar: Zekirja Haxhiu
Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë është kategorikisht kundër idesë së partive shqiptare që ligjet që miratohen në Kuvend me shumicën e Badenterit, të mbrohen me të njëjtin parim edhe në Kushtetuese. Në praktikën vendore u ngritën dyshime rreth ligjeve që miratohen me votim të dyfishtë, dhe që nga ana tjetër, të rrëzohen me shumicë të thjeshtë në Gjykatën Kushtetuese, sikurse ndodhi edhe me mekanizmin e Balancuesit. I pyetur nga ALSAT, kreu i LSDM-së Filipçe tha në mënyrë të presë, se një ide të tillë nuk do ta mbështeste.
“Këtë nuk do ta mbështesnim….nuk do ta mbështesnim”, tha Venko Filipçe – LSDM.
Nga ana tjetër VMRO-DPMNE e la derën të hapur, por gjithsesi, shtuan se vendimet i marrin në përputhje me procedurat dhe organet partiake, duke kërkuar së pari debat të gjerë rreth çështjes.
“Le të dorëzojnë propozim, të hapim debat të gjerë publik, të flasim në parti dhe normalisht se do të marim qëndrim. Kështu, me pyetje hipotetike, nuk mund të japim përgjigje konkrete”, u shpreh Brane Petrushevski – VMRO-DPMNE.
Por, se sa do të mund të ndikojë ndaj partnerit të tyre qeveritar, VMRO-DPMNE-së, topi tani mbetet në fushën e VLEN-it. Ndonëse deri tani nuk është propozuar asgjë zyrtarisht, zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti paralajmëroi se po përpiqen që të gjejnë një zgjidhje ligjore për Badenterin në Kushtetuese.
“Gjithçka që del nga Marrëveshja e Ohrit, gjithçka që ka të bëjë me identitetin e shqiptarëve dhe bashkësive të tjera etnike në Maqedoni që nuk janë shumicë, kanë mundësuar që e gjithë kjo brenda natës të bjerë në ujë për shkak se, që në fillim nuk e kanë detektuar dhe nuk kanë arritur që edhe Gjykata Kushtetuese të ketë Badenter, dhe për çështje që kanë të bëjnë me identitetin e shqiptarëve dhe bashkësive të tjera, të vendoset me dy shumica”, theksoi Izet Mexhiti – Zv. kryeministër i parë.
Deri tani, nuk ka një iniciativë as edhe nga BDI-ja. Nga radhët e Frontit Evropian, është shprehur vetëm Zijadin Sela.
“Nëpërmjet sjelljes së një ligji ose ndryshimeve të ligjit në Gjykatën Kushtetuese në të cilën minimumi çdo vendim i cili sillet me parimin e badenterit, edhe vendimet në lidhje me këto ligje në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me iniciativat patjetër se duhet të sillen me votim të dyfisht ose me të ashtuquajturin parim të badenterit”, u shpreh Ziadin Sela – ASH (Fronti Europian).
Në mënyrë që në të ardhmen, të mos ndodh e njëjta gjë sikurse edhe me Balancuesin, të njëjtën ide e mbështeti edhe vetë gjykatësi kushtetues, Osman Kadriu. Sipas tij, kjo çështje duhet të rregullohet me ndryshime kushtetuese, me qëllim që gjykatësit shqiptarë të mos mbivotohen. Seanca e radhës e Gjykatës Kushtetuese në të cilin pritet sërish i njëjti mbivotim, do të jetë më 11 shtator, kur pritet të shqyrtohen Ligji për përdorimin e gjuhëve. /Alsat.mk