Policia e Fierit ka reaguar lidhur me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme kun ë lagjen “15 Tetori” në qytetin e Fierit një banesë u përfshi nga flakët. Lidhur me këtë ngjarje blutë e Fierit bëjnë me dije se është arrestuar një 42-vjeçar, i identifikuar si Altjon Sulejmani.

Sipas policisë mësohet se Sulejmani ka tentuar të djegë të gjallë dy prindërit e tij në banesë. Ky shtetas dyshohet se i ka vënë zjarrin banesës ku jetonte bashkë me prindërit, ka mbyllur dyert, në mënyrë që ata të mos dilnin nga banesa dhe është larguar.

Fatmirësisht dy të moshuarit u shpëtuan në kohë nga fqinëjt dhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore. Sakaq, nga hetimet ka rezultuar se 42-vjeçari ka ushtruar edhe më herët dhunë ndaj prindërve të tij.

Njoftimi i Policisë:

Fier/Tentoi të vriste prindërit e tij të moshuar, duke i vënë zjarrin banesës, kapet dhe vihet në pranga 42-vjeçari.

Mbrëmjen e djeshme, në lagjen “15 Tetori”, Fier, një banesë ku ndodheshin 2 të moshuar, është përfshirë nga flakët.

Pas marrjes së njoftimit, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje shërbimet e Policisë dhe të Zjarrfikëses, të cilët kanë mundur të nxjerrin nga banesa, 2 të moshuarit, në gjendje të mirë shëndetësore. Zjarrfikësit kanë bërë të mundur fikjen e zjarrit.

Nga hetimet paraprake rezultoi se djali i shtetasve të moshuar, shtetasi A. S., 42 vjeç, banues në Fier, i ka vënë zjarrin banesës ku jetonte bashkë me prindërit, ka mbyllur dyert, në mënyrë që ata të mos dilnin nga banesa dhe është larguar.

Po nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas ka ushtruar më parë dhunë ndaj prindërve të tij.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier bënë të mundur kapjen dhe arrestimin e shtetasit A. S., 42 vjeç.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë, “Dhuna në familje” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.