Emigrantët shqiptarë, duke nisur nga dita e sotme, do të mund të aplikojnë nga jashtë shtetit për Letërnjoftim Elektronik apo Pasaportë Biometrike, pa pasur nevojë të pajisjen detyrimisht me të dy dokumentet njëkohësisht.
Lajmi konfirmohet nga një njoftim zyrtar i Ministrisë së Brendshme, e cila shkruan se shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit do të kenë mundësinë të përzgjedhin dhe të aplikojnë për cilën kanë të nevojshme.
Sakaq, ky ndryshim sipas institucionit ka pëe qëllim thjeshtimin e procedurave, ashtu sikurse është kërkuar së shpeshti nga diaspora shqiptare.
“Ftojmë gjithë qytetarët e interesuar të vizitojnë përfaqësitë tona diplomatike për më shumë informacion e për të kryer aplikimet për Letërnjoftim elektronik!“, thuhet në njoftim.
Njoftimi i Ministrisë se Brendshme
Ministria e Brendshme njofton se, duke filluar nga sot, shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit do të kenë mundësinë të aplikojnë për Letërnjoftim Elektronik, ose për Pasaportë Biometrike, pa qenë më e nevojshme të pajisen detyrimisht me të dy dokumentet njëkohësisht.
Nisma ka qëllim thjeshtimin e procedurave dhe lehtësimin e qytetarëve, që jetojnë e punojnë jashtë Shqipërisë.
Ndryshimi vjen edhe si përgjigje ndaj kërkesave të vazhdueshme të diasporës shqiptare, për të lehtësuar aksesin në dokumentet e nevojshme për ta, si dhe për të ulur kostot e përfshira në procesin e aplikimit.
Ministria e Brendshme, përmes kompanisë shtetërore IdentiTek SHA, mbetet e përkushtuar të vijojë përmirësimin e shërbimeve për të gjithë qytetarët shqiptarë, kudo që ndodhen, e të sigurojë akses të barabartë dhe të thjeshtë për të marrë dokumentet e nevojshme.
Ftojmë gjithë qytetarët e interesuar të vizitojnë përfaqësitë tona diplomatike për më shumë informacion e për të kryer aplikimet për Letërnjoftim elektronik!