Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar konfiskimin e pasurive të 15 shqiptarëve të arrestuar në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “Muratori” .
Sipas SPAK bëhet fjalë për Fael Muka, Xhulio Kastrati, Kledjon Mucollari, Ervis Vangjeli, Kristian Ibrahimaj, Alban Mahilaj, Klaudia Sulejmani, Besmir Selamaj, Altin Ymeraj, Mark Lisi, Ani Kuci, Daniel Elezi, Erando Mara, Indrit Kolgjokaj, Endri Sercan dhe personat e tjerë të hetuar.
Njoftimi i SPAK
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedimin pasuror nr.02 datë 26.01.2024, në ngarkim të shtetasve Fael Muka, Xhulio Kastrati, Kledjon Mucollari, Ervis Vangjeli, Kristian Ibrahimaj, Alban Mahilaj, Klaudia Sulejmani, Besmir Selamaj, Altin Ymeraj, Mark Lisi, Ani Kuci, Daniel Elezi, Erando Mara, Indrit Kolgjokaj, Endri Sercan dhe personat e tjerë të hetuar në kuadër të këtij hetimi penal si dhe familjarëve të tyre.
Nga aktet e administruara rezulton se në datë 19.10.2021, në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është regjistruar procedimi penal nr. 270 i vitit 2021, për veprat penale të “Trafikimi i narkotikëve” kryer në formën e posaçme atë të grupit të strukturuar kriminal, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a, 287 e 333/a të Kodit Penal.
Pas shkëmbimit të të dhënave mes Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Prokurorisë së Republikës së Firences, Seksioni Antimafia, Itali, me ndërmjetësimin e Eurojust është dakortësuar për krijimin e Skuadrës së Përbashkët Hetimore. Në vijim është firmosur marrëveshja për krijimin e Skuadrës së Përbashkët Hetimore mes Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Prokurorisë së Republikës së Firences, Seksioni Antimafie, Itali.
Nga aktet hetimore rezulton se nga autoritetet italiane të drejtësisë dhe konkretisht të Prokurorisë së Firences dhe nga verifikimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme në Shqipëri, janë administruar të dhëna për disa shtetas shqiptarë dhe italianë, të cilët veprojnë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike nga Shqipëria në Itali dhe më pas shpërndarjen e saj në Itali. Gjithashtu nga hetimi janë administruar të dhëna se paratë e përfituara në mënyrë të paligjshme nga aktiviteti kriminal i pjesëtarëve e këtij grupi kriminal janë investuar në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Në kuadër të këtij hetimi të përbashkët JIT, në datë 05.02.2024, është ndërmarrë operacioni “Muratori” në disa shtete nën koordinimin e Eurojust, Prokurorisë së Republikës së Firences dhe Prokurorisë së Posaçme dhe janë ekzekutuar 92 masa sigurimi personal, 65 prej të cilave për shtetas shqipëtarë si dhe janë dokumentuar të gjitha pasuritë e këtyre shtetasve në Republikën e Shqipërisë.
Pasuritë e identifikuara në pronësi të shtetasve; Fael Muka, Xhulio Kastrati, Kledjon Mucollari, Ervis Vangjeli, Kristian Ibrahimaj, Alban Mahilaj, Klaudia Sulejmani, Besmir Selamaj, Altin Ymeraj, Mark Lisi, Ani Kuci, Daniel Elezi, Erando Mara, Indrit Kolgjokaj, Endri Sercan dhe familjarëve të tyre, të paluajtshme apo të luajtshme kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe i kanë fituar si rezultat i veprimtarisë së tyre kriminale të zhvilluar në Shqipëri dhe Itali.
Në kushtet kur pasuritë objekt kërkese për konfiskim janë pasuri që plotësojnë kriteret e parashikuara në nenet 3, 7, 11, 12, 14 dhe 15 të ligjit Nr.10192 datë 03.12.2009 “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar, Trafikimit dhe Korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë” – i ndryshuar, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në përfundim të procesit të verifikimeve pasurore i kërkon me datë 25.10.2024 Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, si vijon:
1. Konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të pasurive si më poshtë:
- 43 (dyzetetre) automjete
- 4 (katër) motomjete
- 18 (tetëmbëdhjetë) pasuri të paluajtshme
- 25 (njëzetepesë) subjekte tregtare si; SH.P.K (Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar) dhe P.F (Person Fizik)
- 6 (gjashtë) shoqëri aksionere – konkretisht konfiskimi i përqindjeve takuese të personave të hetuar dhe familjarëve të tyre
- Llogari bankare në të gjitha bankat e nivelit të dytë të personave të hetuar si dhe familjarëve.