Gazetare: Fatlume Dervishi
Ministria e Drejtësisë nuk planifikon të vazhdojë me bisedimet për ndryshime në Kodin zgjedhor me qëllim të zbatimit të rekomandimeve të ODIHR-së por as edhe për krijimin e një Kodi të ri zgjedhor. Këtë ky institucion e konfirmoi për Alsat, pas pyetjeve nëse grupi i punës do të vazhdojë me takimet dhe nëse mbetet ideja e përpilimit të një Kodi të ri zgjedhor.
“Për momentin nuk është e planifikuar që të niset proces për përgatitjen e një Kodi të ri zgjedhor. Grupi i vjetër i punës e përfundoi punën e tij dhe nuk ka mandat të ri. Nëse qeveria e sheh të nevojshme t’u qasemi negociatave dhe përgatitjes së Kodit të ri zgjedhor në të cilin do të futen rekomandimet e OSBE-ODIHR-së, Ministria e Drejtësisë do të formojë grup të ri pune.” – Ministria e Drejtësisë
Por, grupi i punës i përbërë nga ekspertë, përfaqësues të institucioneve relavante dhe përfaqësues të disa partive politike, nuk është njoftuar për mos vazhdimin e punës së tyre. Kreu i këtij grupi Aleksandar Novakovski thotë se grupi i punës në nëntor të vitit të kaluar dorëzoi një sërë rekomandimesh të cilat duhet t’i miratonte Kuvendi e të cilat ishin në harmoni me rekomandimet e OSBE-ODIHR-së. Sipas tij, partitë politike në Kuvend miratuan vetëm pak nga këto rekomandime duke bërë vetëm ndryshime kozmetike dhe jo thelbësore në legjislaturën zgjedhore. Ai thotë se grupi kishte mandat për të vazhduar bisedimet edhe për një Kod të ri zgjedhor.
“Ne si grup pune kemi pasur mandat të punojmë deri në zgjedhjet e kaluara për rekomandimet e OSBE-ODIHR-së dhe më vonë të vazhdojmë për të propozuar një Kod i ri zgjedhor. Ndryshimet që u bënë para zgjedhjeve, nuk janë të gjitha rekomandimet që bëri grupi i punës në nëntor. Bënë vetëm dy-tre ndryshime kozmetike. Unë si kryetar meritoj që të paktën të më informojnë që puna jonë nuk do të vazhdojë dhe të më falënderojnë për rekomandimet që dhamë,” tha Aleksandar Novakovski, kryetar i grupit të punës.
Novakovski thotë se nga rekomandimet e ODIHR-së nuk janë miratuar shumë çështje të rëndësishme si ata që kanë të bëjnë me financimin e fushatës zgjedhore, dënimet për shkeljet, për kontroll më të madh mbi financimin, ndryshime për punën e këshillave zgjedhor, etj.
As në programin e qeverisë nuk përmendet askund ideja e një Kodi të ri zgjedhor. Sa i takon reformës zgjedhore, programi i qeverisë parashikon vetëm që qeveria të mbështesë diskutime gjithëpërfshirëse për modelin e një njësie zgjedhore me prag zgjedhor, heqjen e censusit për zgjedhjen e Presidentit sipas rekomandimeve të ODIHR-së dhe heqjen e konceptit të qeverisë teknike.
Ndryshimi i Kodit zgjedhor vetëm pak muaj ose javë para zgjedhjeve është bërë praktikë. Partitë politike, me konsensus ndërmjet tyre miratojnë kryesisht vetëm çështjet që janë në interesin e tyre të momentit duke shkaktuar kështu boshllëqe dhe jokonzistencë në Kodin zgjedhor.
Ndër rekomandimet kryesore të ODIHR-së është përpilimi i një Kodi të ri zgjedhor, konzistent dhe të harmonizuar dhe ndryshim të ligjit jo më afër se gjashtë muaj para zgjedhjeve. /alsat.mk