Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, prej tashmë një javë ndodhet në ambientet e paraburgimit të burgut “313” në Tiranë, ndërsa sot ka qenë dita e parë që ai është lejuar të takohet me familjarët e tij.
Gazetarja Klodiana Lala informon se Meta është takuar ditën e sotme nga vajza dhe motra e tij.
Leja e posaçme për t’u zhvilluar ky takim është dhënë nga SPAK-u, teksa përgjatë këtyre ditëve Meta u vizitua nga përfaqësuesi i tij ligjor, Genc Gjokutaj.
Nga ana tjetër, ish-Presidenti i Republikës, kur ndodhej në ambientet e Bllokut të Sigurisë në rrugën “Mine Peza”, është vizituar nga djali i tij, Besar Meta, i cili i ka sjellë dhe ushqime nga jashtë të atit.
Kujtojmë se Ilir Meta ndodhet në paraburgimin “313” me vendimin e datës 25 tetor nga GJKKO-ja.
Akuzat që rëndojnë ndaj Ilir Metës, Monika Kryemadhit, Pirro Xhixhos dhe Ema Çokut
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK-ut, Meta akuzohet për veprat penale:
- “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 3 raste nga të cilat në dy raste është kryer në bashkëpunim
- “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë
- “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”
Për këto vepra penale, Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Ilir Metën.
Për ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi, është caktuar masa e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, për kryerjen e veprave penale:
- “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 2 raste dhe në bashkëpunim,
- “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim,
- “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”
Ndaj të atit të deputetës së Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, Pirro Xhixho, është caktuar masa e sigurisë “arre detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, për veprën penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, e kryer në bashkëpunim.
Së fundmi, ndaj Ema Çokut, u caktua masa e sigurisë “ detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, për kryerjen e veprës penale ““Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim.