Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se në vitet më të rënda për popullin e Kosovës, familja ka qenë bërthama më e fortë që e ka mbajtur gjallë rezistencën, moralin lartë dhe identitetin kombëtar mbi të gjitha.
Këtë fjalim Osmani e ka thënë në kuadër të panelit “Pse kanë rëndësi politikat familjare?” të mbajtur në Konferencën e 30-vjetorit të Vitit Ndërkombëtar të Familjes që po mbahet në Doha të Katarit.
Osmani po ashtu ka njoftuar se në këtë kanë diskutuar se si ndryshimet demografike po i formësojnë politikat familjare. Ka thënë se ka folur edhe për politikat në Kosovë që “fuqizojnë familjet e reja dhe gratë”.
“Në vitet më të rënda për popullin tonë, familja ka qenë bërthama më e fortë që e ka mbajtur gjallë rezistencën, moralin lart dhe identitetin kombëtar mbi të gjitha. Edhe sot, familja mbetet një ndër shtyllat më të forta prapa çdo suksesi individual e kolektiv dhe bazament për politika të suksesshme sociale dhe ekonomike”, ka shkruar ajo në Facebook.