Komisioni i BE-së ka prezantuar raportin vjetor të zgjerimit.
Në konferencën për shtyp, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell duke folur për gjashtë vendet e Ballkanit, përfshirë këtu Kosovën dhe Serbinë, u shpreh se procesi i integrimit evropian për këto dy vende dhe normalizimi i marrëdhënieve të tyre varen nga njëra-tjetra.
Si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën, dinamika e zgjerimit dhe përparimi në dialog me qëllimin e normalizimit të marrëdhënieve duhet të ecin paralelisht.
“Nuk mund të bësh një gjë dhe tjetrën jo”, tha Borell.
Borrell foli edhe për domosdoshmërinë e harmonizimit të politikës së jashtme dhe të sigurisë të BE-së, nga vendet kandidate për anëtarësim në BE, duke theksuar se ky është një tregues se kandidatët ndajnë vlerat evropiane dhe synimet gjeopolitike.
Ai pati edhe një mesazh në mënyrë indirekte për Serbinë, ndonëse nuk ia përmendi emrin.
“Ju thjesht nuk mund të mbani marrëdhënie me Rusinë, ose të tentoni të bëni biznes gjithashtu, dhe të prisni që vendi juaj të jetë pjesë e BE-së. Duhet të zgjedhësh njërën ose tjetrën”, tha Borell.
Ai thekson gjithashtu përputhjen e Kosovës me politikën e jashtme të BE-së, edhe pse ende nuk është vend kandidat.
Borrell përmendi gjithashtu edhe Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Bosnje e Hercegovinën.
“Herët a vonë ju duhet të harmonizoni politikën tuaj të jashtme dhe të sigurisë me politikën e BE-së. Përndryshe, çështja e anëtarësimit do të jetë në rrezik”, tha Borell.