Gazetar: Avni Tahiri
Qendra për të huajt në Gazi Babë hapi dyert për kompaninë e shërbimeve të industrisë por jo edhe për gazetarët.
“Ka rreth një javë që na mohohet e drejta për të parë se si është situata brenda këtu me personat të cilët gjenden në qendrën Gazi Babë në Shkup persona të huaj apo persona që kërkojnë azil në Maqedoninë e Veriut. Deri më tani nuk kemi përgjigje nga Ministria e Punëve të Brendshme apo më saktësisht nga Qendra rajonale kufitare në veri, se a do të mund të incizojmë dhe të shohim se si është situata me emigrantët apo personat që kërkojnë azil në Maqedoninë e Veriut, se si është situata e tyre. Sipas informatave tona në këtë qendër mbahen persona jashtë të gjitha procedurave”, raporton Avni Tahiri, gazetar.
Për më tepër se një javë, procedurat burokratike të MPB-së na pamundësojnë që të shohim realitetin brenda kësaj qendre. Sipas informacioneve që na kanë ardhur në adresën tonë, aty brenda mbahen shtetas si për shembull shtetasi turk Dujgu Abdulkerim. Hyrjen e tij në shtet e ka bërë më 12 shtator, ndërsa kërkesën për azil e ka adresuar më 3 tetor. Po atë ditë e ka vizituar edhe avokati i tij, por ai vazhdoj të mbetet pa statusin e azilit. Jo zyrtarisht njëherë është dëgjuar nga një prokuror për një rast të cilin kanë dyshuar se mund të ketë lidhje, por ka rezultuar se ai nuk figuron në procesin hetimor dhe është rikthyer përsëri në Qendrën për të huaj. Informacione brenda MPB-së na thanë Kontrolli i Brendshëm ka ndërmarr masa për të parë pse ky shtetas turk që kërkon azil mbetet me status të pazgjidhur, së shpejti mund të pritet që edhe Majata Temellkova-Sotirov në cilësinë e kryeshefes së Qendrës për çështje kufitare në veri të vizitohet nga ekipet e kontrollit për standarde profesionale brenda MPB-së. Temellkova ka kërkuar që shtetasin turk ta mbaj 3 muaj në këtë qendër, por departamenti i pikave kufitare nuk ia ka pranuar kërkesën me arsyetimin se nuk ka bazë ligjore dhe mungojnë dëshmi në arsyetim. Ligji për azil garanton mbrojtjen ndërkombëtare dhe ndërprerjen e të gjitha procedurave kundër shtetasin i cili kërkon azil në një vend. Për neglizhencën e Qendrës për çështje kufitare-veri e informuam edhe Avokatin e Popullit, nga i cili presim që të ndërmerr masa konkrete me të drejtën e tij që ia garanton ligji. /Alsat.mk