Gjatë dy ditëve të fundit, Policia e Kosovës ka ndërmarrë një sërë aksionesh të suksesshme që kanë rezultuar në arrestimin e 10 personave të dyshuar për veprimtari kriminale në disa qytete të vendit. Në Prizren dhe Suharekë janë arrestuar 6 persona për përfshirje në fajde, ndërsa në Leposaviq është ndaluar një person i dyshuar për posedim të paligjshëm të armëve, municionit dhe uniformave. Gjithashtu, tre persona janë arrestuar për posedim të lëndëve narkotike dhe disa individë të tjerë të kërkuar për vepra të ndryshme kriminale.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka shprehur mirënjohje për përkushtimin dhe profesionalizmin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Në një postim në Facebook ai theksoi se aksionet e fundit dëshmojnë përkushtimin e policisë për të siguruar sundimin e rendit dhe ligjit, duke mundësuar që qytetarët e Kosovës të jetojnë dhe punojnë në një ambient të sigurt.
Sveçla vlerësoi gjithashtu rolin e bashkëpunimit mes qytetarëve dhe policisë në realizimin e këtyre operacioneve.
Në të njëjtën kohë, ministri Sveçla njoftoi se, në dy raste të ndara, pesë zyrtarë policorë janë suspenduar për dyshime të keqtrajtimit të qytetarëve dhe theksoi se çdo sjellje e tejkaluar që dëmton imazhin e Policisë së Kosovës do të përballet me ndëshkime.