NIKOLETA KOVAÇI/ Policia e Shkodrës dhe grupi hetimor i ngritur enkas për të zbardhur sulmin brutal me armë ndaj dy të rinjve në Dobraç, ende nuk ka asnjë të dhënë konkrete, as për autorët e as për motivet.
Sipas të dhënave që vijnë nga Shkodra, bëhet me dije se janë marrë disa DVD që kanë pamje të zonës ku ka ndodhur krimi i rëndë, por po kërkohen ekspertë që të hapen për shkak se sipas policisë këto pajisje janë me kode. Por ajo që vijon të çorientojë hetimin është pikërisht pamja e një personi të tretë, i cili ka qenë në vendin e ngjarjes në momentin që ka ndodhur krimi.
Nuk bëhet ende me dije nëse ai ka qenë në makinë, apo jashtë saj, njeri i rastësishëm, apo edhe mik apo i afërt i dy djemve që humbën jetën nga breshëria e kallashnikovëve të vrasësve. Pamjet e djalit në vendin e krimit, të gjakosur, kanë bërë xhiron e rrjetit, ndërsa policia ende nuk ka një version përfundimtar për atë person.
Policia po heton një dyshim që lidhet me praninë e Ibrahim Licit në ato pamje, ndonëse ai sipas të dhënave zyrtare gjendet në Turqi, vend në të cilin edhe u arrestua për shkak të një urdhër arresti të lëshuar nga Prokuroria e Posaçme në lidhje me përplasjet brutale të grupeve kriminale kryesisht në Shkodër. Djali i veshur me triko të zezë dhe një xhaketë po të zezë shihet se ka duart me gjak, duke lënë të kuptohet se ose ka tentuar të nxjerrë trupat e pajetë nga makina e bërë shoshë, ose duhet të ketë marrë ndonjë plumb dhe ka mundur të largohet para se sa aty të vinte policie.
Në fakt, Ibrahim Lici, Dorian Duli dhe Genc Tafili janë ndjekur për muaj e muaj me radhë për t’u ekzekutuar, e jo vetëm nga Behar Bajri, por edhe nga një dyzinë personash që gjendeshin në anën e Bajrajve. Pjesa më e madhe e përpjekjeve të të gjithë grupeve kriminale, për “t’ia kryer këtë detyrë” Behar Bajrit gjenden në dosjet e Prokurorisë së Posaçme dhe madje janë edhe publikuar në media.
HETIMET
Armët e gjetura në makinën e Hamza Licit, 23- vjeçarit që iu mor jeta nga ajo pritë e dhunshme në Dobraç janë dërguar tashmë në laboratorët e specializuar të Policisë Shkencore për të mësuar jo vetëm nëse janë përdorur në ndonjë ngjarje, por edhe për të marrë gjurmë prej tyre.
Marrja e gjurmëve gjithnjë lidhet me nevojën për të identifikuar personin e tretë, nëse ka pasur një të tillë në mjetin e dy shënjestrave-viktima, ndërkohë që përsa i përket mjetit të autorëve, ende nuk bëhet me dije nëse është përftuar ndonjë gjurmë e saktë. Policia ende nuk di itinerarin e vrasësve, edhe pse herë pas here ata dyshojnë se atentatorët jo vetëm që janë vrasës të paguar por madje ata kanë kaluar kufirin dhe kanë hyrë në Malin e Zi. Sigurisht koha e gjatë e reflektimit të grupeve të policisë për të ngritur postblloqet e duhura dhe pikat e kontrollit, iu kanë dhënë mundësi autorëve jo vetëm që të djegin mjetin dhe armët, por edhe të zhdukin gjurmët e tyre.
Tashmë shpresë për të shkuar së paku te shkaqet dhe porositësit janë pamjet filmike që ende nuk janë hapur nga ekspertët dhe identifikimi i personit të tretë në vendin e ngjarjes, i cili shihet i vetëm menjëherë pas masakrës me dy të vrarë e dy të plagosur, pasi Arlind Bushati u dërgua me shenja jetë në spital bashkë me Bashkim Bashën, ndërsa kishin ndërruar jetë Hamza Lici dhe Flutura Basha.
Po ashtu, grupi hetimor po kërkon edhe telefonat e viktimave, për të parë bisedat e fundit që kanë kryer, do të merren në pyetje familjarët e tyre dhe po ashtu, mësohet se do të rikthehen edhe një herë të materialet mijëra faqesh të luftës së përgjakshme mes rivalëve Lici-Bajri që kanë ngritur ‘ushtri’ për të sulmuar familjet e njëri-tjetrit!/Gazeta Panorama