Në letrën e Harris përmendet gjithashtu mbështetja e SHBA-së për Kosovën dhe garantohet se kjo mbështetje do të vazhdojë edhe më tutje.
“Shtetet e Bashkuara kanë udhëhequr gjithashtu aleatët e tyre dhe partnerët evropianë që të mbështesin pavarësinë dhe sovranitetin historik të Republikës së Kosovës, dhe vazhdojnë të mbështesin një Kosovë multietnike, demokratike, të integruar plotësisht në komunitetin ndërkombëtar”, thuhet në letër.
Letra është bërë publike nga ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Faton Bislimi, transmeton gazeta online Reporteri.net.
Harris thekson partneritetin e fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë si një aleate e palëkundur e NATO-s dhe promovuese e stabilitetit në rajon, si dhe vlerëson udhëheqjen e vendit tonë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Harris në letër përmend edhe lidhjet historike mes Shqipërisë dhe SHBA-së, dhe mbështetjen që shteti që Harris synon të drejtojë i kishte dhënë Shqipërisë në momentet deçizive të saj sa i përket shtetësisë.
“Për më shumë se një shekull që shtrihet në Konferencën e Paqes të Parisit pas Luftës së Parë Botërore, amerikanët dhe shqiptarët kanë ndarë një lidhje të veçantë. Edhe sot e kësaj dite shqiptarët e Amerikës kujtojnë se ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës që u ngritën në këmbë në atë moment vendimtar për pavarësinë e Shqipërisë. Dua të afirmoj partneritetin e fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Shqipëria është një aleate e palëkundur e NATO-s dhe unë i jam mirënjohës Shqipërisë për promovimin e stabilitetit në rajon, si dhe për udhëheqjen e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së gjatë muajve pasi Rusia nisi pushtimin brutal të Ukrainës”, thuhet në letër.