Gjykata ka marrë vendimin për shtetasin Shpëtim Çuka, duke e lënë në masën e sigurisë “arrest në burg” pasi tre ditë më parë plagosi me thikë djalin e tij 15 vjeçar në banesën e tyre në fshatin Vreshtas të bashkisë Maliq.
Seanca gjyqësore u zhvillua mesditën e kësaj të diele teksa institucioni i drejtësisë mori vendimin për të lënë në burg Çukën.
Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e së mërkurëa rreth orës 7:30 minuta, kohë kur djali i Shpëtim Çukës duhet të shkonte në shkollë. Ky ka qenë e shkaku që çoi në konfliktin e tyre deri në përdorimin e thikës nga ana e prindit.
Nga dëshmia e Çukës u kuptua se konflikti me të birin ishte i çastit e që lidhej me frekuentimin e shkollës.
Sipas tij djali nuk donte të shkonte në shkollë.
“Unë i thoja ikë se vajti ora,ai rrinte në telefon. Ishim duke u grindur sepse nuk po më dëgjonte. Nuk donte të shkonte në shkollë. Gjatë konfliktit kisha një thikë (biçak) në dorë me të cilën e godita”, u shpreh Çuka.
Plaga që mori 15 vjeçari ishte në brinjë ndërkohë që pas mjekimit ka lënë spitalin rajonal të Korçës dhe është rikthyer në shtëpi në gjendje të mirë shëndetësore.