Gazetare: Fatlume Dervishi
BDI-ja akuzon pushtetin aktual, konkretisht zv/kryeministrin Izet Mexhiti që mbështet lojërat e fatit dhe aktivitetin e kompanisë “Kazinos Austria”. Sipas tyre, kjo kompani po merr monopolin në vendime që duhet t’i marrë në fakt Lotaria Shtetërore. Megjithatë, periudha të cilës Bexheti i referohet për aktivitet të paligjshëm të kësaj kompanie, është e kohës kur BDI-ja ka qenë në qeveri, por ai thotë se veprimi ilegal u vërtetua sipas interpretimit autentik.
“Për të thjeshtësuar, për një depozitë prej vetëm një million eurosh, pa pëlqimin e Komisionit për mbrojtjen e konkurrencës, kompanisë private serbo-bullgare “Kazinos Austria” i jepet monopoli në mbrojtjen shtetërore dhe një fitim prej mbi 100 milion euro. Gjithashtu në kontratën e themelimit të shoqërisë tregtare nuk parashikohet as kohëzgjatja e kontratës dhe as mënyra e përfundimit të saj. Interpretimi autentik zbulon që kompania serbo bullgare Kazinos Austria ka organizuar në mënyrë të paligjshme internet lojëra të fatit përmes platformës së tyre 2ëin.mk nga 1 janari 2017 deri në vitin 2024”, tha Blerim Bexheti, BDI.
BDI-ja thotë që nga interpretimi autentik, asnjë kazino ose bastore në shtet nuk është mbyllur por se opinion është manipuluar.
VLEN thonë se BDI-ja po godet veten meqë këto aktivitete janë zhvilluar kur BDI-ja ka qenë në qeveri.
“Artani dhe Përparimi kanë frikë se do të mbajnë përgjegjësi për keqpërdorimet në Lotarinë Shtetërore dhe për këtë arsye e kanë lënë Blerimin të akuzojë për një gjoja krim që është bërë kur Ahmeti ishte në koalicion me Gruevskin dhe Mijalkovin. Ata thjeshtë po e plagosin vetën në këmbë. Së dyti, kur Blerimi akuzon për marrëdhënie me kompani serbo-bullgare, në fakt flet për marrëdhëniet e Artanit dhe Përparimit me lojërat e bixhozit të nëntokës serbe dhe bullgare, të cilat, sipas interpretimit autentik, i ndërprenë fluksin e parave të zeza që merrnin rregullisht”, thonë nga VLEN.