Gazetar: Mihaillo Donev
Zgjatja e procedurave gjyqësore në vend është ende një nga shkeljet më të shpeshta të të drejtave të njeriut nga gjykatat, është shprehur ministri i Drejtësisë Igor Filkov, në hapjen e seancës së 15-të të Konventës Kombëtare të BE-së në vend.
“Në vend që gjykatat t’i mbrojnë të drejtat e njeriut, ato i shkelin, gjë që vërtetohet nga vendimet e shumta të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut ndaj vendit tonë, ku shkeljet më të shpeshta përcaktohen pikërisht për të drejtën për gjykim të drejtë brenda afatit të arsyeshëm në përputhje me nenin e gjashtë të Konventës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut”, tha Igor Fillkov, ministër i Drejtësisë.
Drejtësia e vonuar është drejtësi e humbur, është shprehur Daniella Aleksovska- Stojanovska, gjykatëse në Gjykatën Penale të Shkupit.
“Ndër-veprueshmëria në gjyqësor do të nënkuptonte mënyrë më të shpejtë dhe të sigurt për sigurimin e të dhënave. Sipas gjendjes aktuale në gjykata, nëse është e nevojshme të merren të dhëna të caktuara për një person të caktuar, siç është numri amë ose kontrollimi i të dhënave të adresës, sigurohet me kërkesë me shkrim në shërbimin kompetent në MPB kurse prej atje të dhënat priten me javë të tëra edhe me muaj”, u shpreh Daniella Aleksovska Stojanovska, gjykatëse në Gjykatën Themelore Penale- Shkup.
Eksperti ligjor për Ballkanin Perëndimor, Kristian Turkal, thotë se nuk është problem që gjykatat të punojnë me lëndët e mbetura, por është problem nëse kanë mbetur në sirtar me vite.
“Treguesit e problemit janë sigurisht sasia e madhe e lëndëve të pazgjidhura, por do të thosha rastet e pazgjidhura që janë më të vjetra se tre vjet. Sepse, kjo është sikur spitali që duhet të ketë pacientë që të funksionojë, kështu që nëse nuk keni lëndë, pse ju duhen gjykatat. Por nuk duhet të keni lëndë që janë mbi 5, 10 apo 15 vjeç. Lëndë të tilla tregojnë se keni problem serioz”, u shpreh Kristian Turkal, ekspert ligjor për Ballkanin Perëndimor.
Konferenca, në kuadër të së cilës u diskutua për rritjen e efikasitetit të gjykatave, rekomandon gjithashtu shkëmbim më të shpejtë të të dhënave ndërmjet gjykatave dhe institucioneve, mbikëqyrje publike të proceseve gjyqësore, por edhe investim në digjitalizimin e gjykatave në të gjithë vendin. / Alsat.mk