Në seancën dëgjimore në Parlamentin Europian, kandidatja për komisionere për zgjerim të BE-së Marta Kos kërkoi që Maqedonia e Veriut t’i miratojë ndryshimet kushtetuese ashtu siç ka premtuar, as më pak e as më shumë. Këto komente ajo i bëri duke u përgjigjur në pyetjet e eurodeputetëve bullgarë, se cili është qëndrimi i saj për ndryshimet kushtetuese me efekt të vonuar, të cilat i propozon qeveria e kryeministrit Hristijan Mickoski
“Përgjigja është e qartë dhe përgjigja është pjesë e raporteve të zgjerimit të këtij viti – presim që vendi kandidat Maqedonia e Veriut të ndryshojë Kushtetutën siç është premtuar, asgjë më shumë dhe asgjë më pak. Shteti i së drejtës, respektimi i të drejtave të njeriut, e drejta e përkatësisë së pakicave, përsëri neni 2, është baza. Prandaj, presim që qeveria e Maqedonisë së Veriut ta përmbushë këtë kërkesë. Përmbushja e detyrimeve është shumë e rëndësishme. Kur flas për bilateralizimin e mosmarrëveshjeve të mundshme ndërmjet shteteve anëtare dhe vendeve kandidate, interesi i shteteve anëtare sigurisht vjen i pari. Ajo që shoh dhe do të jetë detyra ime nëse konfirmohem si Komisionere Evropiane, unë dhe kolegët e mi do të bëjmë gjithçka që mundemi për të mos importuar çështje dypalëshe në procesin e zgjerimit”, tha Marta Kos, Kandiodate për komisionare për zgjerim. /Alsat.mk