​Qeveria insiston se draft-statuti i BE-së për Asociacionin është “non-paper” pa karakter obligues

Draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i hartuar nga Bashkimi Evropian, nuk është obligues për vendin tonë, thonë në Qeverinë e Kosovës.

Sipas tyre, ky dokument, të cilin e kualifikojnë si “non-paper”, nuk do të dërgohet në Kushtetuese pavarësisht insistimit të BE-së dhe vendeve partnere të Kosovës.

Jeton Zulfaj, këshilltar politik i kryeministrit Albin Kurti, në një intervistë për KosovaPress thotë se draft-statuti i Asociacionit, i dorëzuar nga BE-ja më 26 tetor 2023, ka mundur të marrë karakter obligues nëse Serbia do të kishte pranuar që të nënshkruhet Marrëveshja Bazë e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit, të dakorduar po ashtu vitin e kaluar.

Përkitazi me këtë, ai thotë se draft-statuti i Asociacionit i hartuar nga BE-ja ka mbetur si një propozim pa asnjë detyrim dhe obligim për Kosovën.

“Vitin e kaluar, ju e mbani mend që më 26 tetor u pati ofruar nga kryeministri që të nënshkruhet marrëveshja në mënyrë që të drafti që ata e kanë propozuar të merrte edhe epitetin e një obligimi që pastaj do të kthehej për Kosovën. Mirëpo, Serbia refuzoi që të nënshkruajë dhe ju e dini që qëndrimi i kryeministrit ka qenë që pa nënshkrim s’ka pranim. Rrjedhimisht, kur Serbia ka refuzuar të nënshkruajë ajo nuk e ka pranuar. Drafti nuk është pranuar dhe ka dështuar që të merr një formë të obligimit ndaj Kosovës. Prandaj edhe quhet non-paper sepse nuk është obligues, pasi nuk është nënshkruar dhe nuk është pranuar. Si mund ta quajmë një draft të tillë. Nuk mund të dërgohet pasi nuk është pranuar dhe është refuzuar me 26 tetor. Ka kaluar ajo ditë dhe ajo kohë. Ka qenë oferta e nënshkrimit dhe Serbia e ka refuzuar. Tani nuk mund të kthehesh në një obligim dhe ta bësh të detyrueshëm një draft që Serbia e ka refuzuar dhe s’ka dashur të pranojë atë draft. Ai ka mbetur tashmë në atë formë si një propozim pa një detyrim dhe obligim pasi s’ka arritur që të përkthehet si një i tillë”, thekson Zulfaj.

Ai akuzon Serbinë për destruktivitet në dialog dhe moszbatim të marrëveshjeve, ndërsa pret qasje të re në proces nga BE-ja për normalizimin e raporteve mes dy vendeve edhe pse për momentin nuk janë planifikuar takime të nivelit të lartë në Bruksel.

Në anën tjetër, Zulfaj e sheh si pengesë dialogun në disbursimin e milionave eurove për Kosovën në kuadër të Planit të Rritjes të BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Ne presim që Komisioni i ri Evropian me përfaqësues të ri të lartë të Bashkimit Evropian, por edhe me komision të ri, të ketë reflektim në ngecjet karshi zbatimit të marrëveshjes së arritur vitin e kaluar. Kësisoj të arrijmë deri te normalizimi dhe njohja de-facto e dyanshme që kemi arritur vitin e kaluar. Vetëm kjo garanton që të kemi një kapërcim dhe një normalizim të marrëdhënieve”, shton ai.

Zulfaj për KosovaPress, flet edhe për raportin e Komisionit Evropian, ku adresohet progresi që ka arritur Kosova.

“Nëse flasim për raportin e progresit dhe gjetjet kryesore ajo çka mendoj se duhet të themi është se raporti flet për progres. Tani nuk e quajnë më raport të progresit pasi ka shtete qartazi që nuk bëjnë progres dhe ecin prapa. Por në rastin e Kosovës ky tamam është raport i progresit, pasi edhe Komisioni Evropian ka gjetur progres në reformimin e administratës publike, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, ekonominë e tregut, drejtësi, siguri, liri, politika sociale dhe punësim dhe bujqësi. Ajo çka është tejet e rëndësishme, sepse është një ndër kapitujt më të rëndësishme që tregon sesi po ecën vendi karshi agjendës së integrimit në BE, është kapitulli 2.3, ku flitet për zhvillim ekonomik dhe konkurrueshmërinë. Aty theksohet rritja ekonomike, ku ju e keni parë se edhe në deklaratën e Ursula von der Lyen për rritjen ekonomike, rritja e punësimit theksohet, rritja e të hyrave buxhetore, ulja e papunësisë”, deklaron Zulfaj.

Sa i përket zhbllokimit të vendimmarrjes në CEFTA, Zulfaj deklaron se i njëjti do të mundësojë zbatimin e tregut të përbashkët rajonal.

Ai përmend edhe sukseset të arritura në kuadër të samitit të Procesit të Berlinit.

“Sidomos për zbatimin e tregut të përbashkët rajonal, i cili është kthyer në një pjesë kyçe e Procesit të Berlinit. Nga 2020, kur është aprovuar tregu i përbashkët rajonal, kemi hyrë në një fazë të rëndësishme të integrimit të rajonit në tregun e përbashkët rajonal. Në këtë samit, më 14 tetor, ju e keni parë se përveç marrëveshjes së re për qasje në studime, është nënshkruar edhe deklarata për planin e veprimit për tregun e përbashkët rajonal. Ky plan ka 150 veprime të reja, të cilat do të heqin barrierat në katër liritë – njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit. Kjo do të thellojë më shumë integrimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor”, thotë Zulfaj.

Krahas kësaj, duke folur për vendimin që të hiqet regjimi i vizave për Bosnjë e Hercegovinën, Zulfaj thotë se presin që edhe Sarajeva zyrtare të zbatojë marrëveshjen dhe të ketë liri të lëvizjes për qytetarët e të dyja vendeve.

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme