Shkrimtari ynë Kim Mehmeti, vlerëson se pastrimi i së kaluarës eventuale kriminale të drejtuesve të BDI’së, nuk kalon nëpërmet dyerve qeverisëse me LSDM-në, por nëpërmjet kërkimit faljeje nga shqiptarët!
“Maqedonia e tanishme antishqiptare, që proteston kundër gjuhës shqipe, që shan dhe ofendon shqiptarët, është shteti që na e ndërtuan VMRO-DPMNE’ja dhe BDI’ja! Dhe e shihni me cilin absurd përballemi sot: VMRO-DPMNE’ja e mbron shtetin nga ‘rreziku shqiptarë’, ndërkaq BDI’ja – që deri dje të vriste nëse ia kritikoje DPMNE’në dhe e cila, shkeli mbi çdo gjë shqiptare, vetëm që të mos e shkelte parimin ‘fitues me fitues’, për formimin e koalicionit qeverisës – na ‘mbron’ nga antishqiptaria e VMRO-DPMNE’së?! Dhe le të del tani një shqiptar të na tregojë se ku është parë një pafytyrësi e këtillë politike dhe, cila parti ia ka bërë këtë përbuzje popullit të vet!”, thekson Mehmeti. Sipas tij, Lëvizja BESA bëri shumë mirë që nuk pranoi, dhe që nuk pranon, të ulet në një tavolinë të bisedimeve me drejtuesit e BDI’së, të dyshuar për krime dhe korrupsion! “Dhe që t’ua rikthejë shqiptarëve të Maqedonisë dinjitetin që ua përbuzi BDI’ja, kjo Lëvizje duhet më zëshëm ta bëjë të ditur se pastrimi i historisë eventuale kriminale të drejtuesve të kësaj partie, nuk kalon nga dyert e koalicionimit të saj qeverisës me LSDM-në, por nëpërmjet shpjegimit të hollësishëm se si ndodhën ‘Sopoti’, ‘Monstra’, likuidimi i Harun Aliut me shokët, nata e Tradhtisë së Madhe në Kumanovë, projekti ‘Shkupi 2014’, ‘Enciklopedia maqedonase’ që fyen tërë popullin shqiptarë…, edhe atë duke qenë pjesë e regjimit kjo BDI, që sot na shet patriotizëm televiziv! Më në fund, shqiptarët e Maqedonisë, do e dëshmojnë pjekurinë e vet politike vetëm nëpërmjet realizimit të Redifinimit të shtetit si dhe, nëpërmjet bashkëpunimit të tyre pa komplekse – por jo në dëme të të tjerëve – me qendrat e shqiptarisë – Tiranën e Prishtinën!” , shkruan Mehmeti.