Seanca gjyqësore në Apelin e Posaçëm për ankimin e bërë nga kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, për masën e tij të sigurisë “arrest në burg”, do të mbahet më 19 nëntor 2024.
Ankimimi ndaj masës së sigurisë “arrest me burg” u dorëzua nga avokati mbrojtës, Genc Gjokutaj më 4 nëntor, pranë Apelit të GJKKO-së.
Sipas avokatit Gjokutaj, masa e caktuar ndaj Metës nuk është i bazuar në kriter të përgjithshëm apo të veçantë, ashtu sikurse provat i cilësoi si ‘thashetheme’.
Seanca gjyqësore e GJKKO-së u mbajt më 23 tetor, e cila pati dhe shtyrje për 4 orë pasi Ilir Meta pati përplasje me kreun e SPAK-ut, Altin Dumani dhe prokurorët e tjerë të posaçëm.
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK-ut, Meta akuzohet për veprat penale:
- “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 3 raste nga të cilat në dy raste është kryer në bashkëpunim
- “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë
- “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”
Për këto vepra penale, Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Ilir Metën.