Thika me të cilën 14-vjeçari kreu vrasjen e bashkëmoshatarit të tij në shkollën “Fan Noli” nuk është gjetur ende. Edhe pse adoleshenti e kishte reklamuar në rrjetet sociale pas ngjarjes, hetuesit nuk kanë arritur ta gjejnë ende thikën ushtarake që u përdor për të kryer vrasjen.
Në dëshminë e dhënë para grupit hetimor, 14-vjeçari deklaroi se konflikti me viktimën kishte nisur të premten “për arsyen se ky i fundit po e shikonte”. Sipas tij, sherri vazhdoi edhe të hënën, ku të dy palët kishin thirrur shokët për të “sqaruar” situatën.
Dëshmia e autorit:
I pyetur nëse është penduar, 14-vjeçari nuk pranoi të përgjigjej dhe refuzoi të tregojë vendndodhjen e thikës. Ai tha vetëm se nuk e kishte futur armën në ambientet e shkollës, por e kishte fshehur diku aty pranë.
Hetimet po vijojnë për të përcaktuar nëse ka persona të tjerë të përfshirë, të cilët mund ta kenë ndihmuar duke i sjellë thikën.
Përleshja dhe pasoja tragjike
Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë një përleshjeje fizike ditën e hënë, ku autori kishte thirrur një shok të tij, nxënës i shkollës “Fan Noli”. Nga ana tjetër, viktima, Cani, kishte thirrur një shok nga shkolla “Mustafa Qemal Atatürk” në Sauk, me të cilin luante në ekipin U-15 të Dinamos. Gjatë përplasjes rreth 200 metra larg shkollës, mbeti i plagosur edhe shoku i viktimës, ndërsa autori mori një plagë aksidentale në parakrah.
Pas ngjarjes, autori u largua me vrap drejt Pazarit të Ri, ku të njohur të tij e çuan me një makinë në një spital privat për mjekim. Policia e arrestoi në ambientet e spitalit për akuzat e vrasjes me dashje dhe armëmbajtjes pa leje.
Viktima, Cani, ndërroi jetë në Spitalin e Traumës për shkak të plagëve të marra. Ai u përcoll për në banesën e fundit një ditë pas ngjarjes tragjike, ndërsa komuniteti dhe familjarët mbeten të tronditur nga ky akt dhune mes të miturve. Ndërkohë, hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe përgjegjësitë e ngjarjes.