Gazetar: Mihajllo Donev
Kryetarja e Këshillit gjyqësor, Vesna Dameva, ka mohuar informacionet për vazhdimin e mandatit të saj edhe për gjashtë muaj. Mandati i saj skadon pas pak ditësh. Dameva thotë se nuk ka pasur vendim për vazhdimin e mandatit, por janë bërë vetëm konsultime se sa duhet ta mbajë funksionin.
“Duke pasur parasysh se vendimet për shkarkim janë marrë në dy raste, gjegjësisht, më 26.04.2023 dhe më 04.05.2023, e kam parë të nevojshme vetëm të përcaktoj datën e saktë deri kur duhet ta mbaj detyrën me kohëzgjatje prej 2 viteve. Sa i përket çështjes juridike lidhur me kohëzgjatjen e mandatit, megjithëse anëtarët e Këshillit kishin qëndrimin e tyre, u konsultuan edhe ekspertë juridikë dhe ekspertë eminentë në fushën e së drejtës, kështu që vetëm u vërtetua qëndrimi i shumicës se, mandati duhet të kryhet për 2 vjet”, njoftojnë nga Këshilli gjyqësor.
Dameva u zgjodh më 5 dhjetor të vitit 2022 për kryetare të Këshillit, pozitën e mbajti deri më 26 prill të vitit 2023, kur u shkarkua dhe më pas me vendim të Gjykatës administrative u kthye në postin e kryetares më 4 janar të këtij viti.
Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë është duke hartuar zgjidhje të re ligjore për Këshillin gjyqësor, por pavarësisht kësaj, zëvendësministri i Drejtësisë nuk përjashton mundësinë e shpërbërjes së Këshillit gjyqësor dhe Këshillit të prokurorëve publik, si pasojë e serisë së vendimeve skandaloze që dolën nga këto organe.
“Përveç përmirësimit të rregullativës dhe kornizës ligjore, të gjithë skenarët për zgjidhjen e këtij problemi mbeten të hapura. Mbetemi në qëndrimin se nëse është e nevojshme do të shpërbëjmë këshillat për ta dekriminalizuar dhe depolitizuar sistemin gjyqësor”, tha Alen Dereban, zëvendësministër i drejtësisë.
Edhe kryeministri Hristian Mickoski dje paralajmëroi aksion të fuqishëm kundër të gjithë gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar për të çliruar institucionet dhe për të siguruar që drejtësia të zbatohet pa pengesa. Ligji i ri për Këshillin gjyqësor duhet të jetë gati brenda qershorit të vitit të ardhshëm dhe po zhvillohen debate publike në të cilat marrin pjesë gjykatës nga të gjitha njësitë e apelit në vend. /Alsat.mk