Është zbardhur dëshmia e 26 vjeçarit, Julian Gjoshit, i cili vrau me armë zjarri në një lokal në Ndroq shtetasin Alfred Dedja, i njohur dhe si “Daku”.
Sipas dëshmisë së dhënë nga autori, viktima e ofendonte 26 vjeçarin, e kjo ka qenë arsyeja e vrasjes së Dedjës.
Gjoshi u shpreh se ditën e diel shkoi për drekë tek lokali dhe sapo ka parë 50 vjeçarin e ka qëlluar me armë.
“Më shante nëpër tavolina. Unë e mora vesh që ai më shante dhe nuk e durova dot këtë gjë, pasi unë e kam mbajtur atë. Ai nuk mund të më shajë mua. Të dielën shkova për drekë te lokali në Ndroq dhe sa e pashë Alfred Dedjan e qëllova me armë”, ka thënë ai.
Kujtojmë se ngjarja ndodhi mesditën e djeshme (1 dhjetor), në një lokal në Ndroq, ku viktima po qëndronte si klient.
Autori është larguar menjëherë me një automjet, të cilin e braktisi në fshatin Shkallnur. Brenda makinës nuk është gjetur asnjë send të kundërligjshëm, sipas policisë, duke nënkuptuar se autori nuk ka lënë gjurmë pas, por sakaq automjeti do i nënshtrohen ekspertizës së detajuar për të zbuluar më shumë.
Nuk dihet nëse është gjetur arma me të cilën 27-vjeçari qëlloi Dedjën, i cili njihet edhe me nofkën “Daku”.
Viktima dhe autori mësohet se kishin njohje me njëri-tjetrin, si edhe ishin miq. Të dy, sipas dëshmitarëve, e frekuentonin shpesh zonën e Ndroqit dhe lokalin ku ndodhi vrasja.
Sipas dëshmitarëve, mes autorit të krimit dhe viktimës ka pasur një debat, përpara se 26-vjeçari të qëllonte me armë zjarri në drejtim të “Daku”-t.
Raportohet se Julian Gjoshi ka qëlluar 5 plumba, por vetëm 3 plumba kanë kapur në trup 50-vjeçarin, i cili humbi jetën në vendngjarje.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, rezulton se disa ditë më parë ka pasur një sherr mes viktimës dhe autorit.