Alsat sjell pamjet ekskluzive nga djegiet në Kumanovë, policia arreston një të dyshuar

Gazetare: Ajnur Bafqari

Ky person në video është 35-vjeçari me inicialet F.A., i dyshuar për zjarrvënien e disa ditëve më parë në Kumanovë.

Sipas pamjeve filmike që siguroi ALSAT, personi me inicialet F.A, shihet në këtë video teksa blen lëndë djegëse, para aktit të vendosjes së zjarrit.

Ndërsa në këtë video të dytë, e kapur nga kamerat me qark të mbyllur, 35-vjeçari shihet teksa vrapon menjëherë pas aktit të vënies së zjarrit ndaj Zyrën për kontabilitet dhe përkthime gjyqësore përball Gjykatës Themelore në Kumanovë, nën emrin e Mentor Jakupit, vëllai i këshilltarit të BDI-së në Kuvendin Komunal të Kumanovës, Fitor Jakupi. Disa metra më lart, përballë lokalitetit “Garnizon” ai i ka vënë flakën edhe makinës së prokurorit të lartë, Xhelal Bajrami. Në fotografitë që siguroi Alsat nga vendi i ngjarjes, zjarri dukej se ishte vënë përmes shisheve me koktej molotov. Makina e Bajramit u dogj në oborrin e shtëpisë. Zjarri i ishte vënë edhe makinës së një koloneli me inicialet E.D, por që ishte përfshirë pak nga flakët, dhe pa shumë pasoja. Flaka i ishte vënë edhe një makine të llojit Audi e cila rezultonte në pronësi të Mentor Shahinit. Sipas dinamikës dhe të dhënave nga policia, zjarri mes tri makinave dhe objekti në pronësi të Mentor Jakupit ishte vënë në intervalin kohor të 30 minutave. ALSAT mëson se personi në fjalë është i njohur në qytet, dhe dyshohet jo vetëm si përdorues i narkotikëve por edhe me të meta mendore.

Pas njoftimit të Ministrisë së Brendshme, 35-vjeçari është ndaluar nga njësiti policor për intervenim mbrëmjen e djeshme, në rajonin e Bit Pazarit në Shkup, falë masave për ndjekje dhe koordinim mes Sektorit për Punë të Brendshme të Kumanovës, Departamentit të Policisë Kriminale pranë Byrosë për Siguri Publike, si dhe Sektorit për Punë të Brendshme në Shkup. 35-vjeçari me inicialet F.A. po mbahet në Stacionin Policor Kumanovë dhe pas dokumentimit të plotë të rastit ndaj tij do të ngrihet kallëzimi përkatës.

Paraprakisht mendohej për grup të organizuar – thanë nga policia, pasi në momentet e zjarrvënies, në asnjë prej vendeve ku ishte vënë zjarr, nuk kishin punuar kamerat e sigurisë. Madje, zv.ministri i Brendshëm nuk e kishte përjashtuar mundësinë që “ngjarjet të përkonin me qërim hesapesh nga e kaluara nga grupe të caktuara kriminele”. Por më pas Iseni e hoqi këtë pjesë nga reagimi i tij në Facebook. Nga të dhënat paraprake që ka siguruar ALSAT, 35-vjeçari me inicialet F.A. kishte njohje me të gjithë pronarët e dëmtuar nga vënia e zjarreve, por mbetet ende e paqartë nëse ai ka vepruar i vetëm, me dikë tjetër, apo nën porositjen e dikujt tjetri. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme