Gazetar: Avni Tahiri
Tre kamionë janë djegur tërësisht ndërsa një pjesërisht mbrëmë nga zjarri që shpërtheu në zonën industriale në Vizbeg të Shkupit. Përveç dëmeve materiale nuk raportohet për persona të lënduar në këtë zjarr. Ekipet e zjarrfikësve kanë intervenuar menjëherë pas thirrjes për intervenim duke lokalizuar zjarrin tërësisht.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme konfirmojnë rastin duke thënë se në vendngjarje kanë dalë punonjësit e policisë dhe kanë konstatuar se nga ky zjarr janë përfshirë katër kamion.
“Mbrëmë në ora 21:15 në SPB Shkup është raportuar se janë djegur kamionë të një kompanie në pronësi të A.I 47 vjeçar, në rrugën e Kaçanikut. Nuk ka persona të lënduar, ndërsa zjarri është shuar nga ekipi i Brigadës së Zjarrfikësve të Shkupit. Plotësisht është djegur një kamion i tipit “Mercedes” me rimorkio, një kamion “Volvo” me rimorkio dhe një kamion “Volvo” me targa të Shkupit me rimorkio. Një kamion tjetër “Volvo” me rimorkio është djegur pjesërisht”, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB)
Nga Qendrës për Menaxhim me Kriza thonë se në numrin 112 është marrë njoftim për zjarr në orën 21:14 në një kompani në lagjen Vizbeg të Shkupit
“Sipas informatave të para është thënë se bëhet fjalë për dy kamionë, por sipas njoftimit të telefonuesit ka pasur rrezik që të përfshihen edhe kamionë të tjerë por edhe një pompë benzine në anën e kundërt të rrugës. Për situatën menjëherë janë njoftuar ekipet e zjarrfikësve të Qytetit të Shkupit dhe MPB”, thonë nga Qendra për Menaxhim me Kriza.
Shkaqet dhe dëmet e shkaktuara nga ky zjarr ende nuk janë konstatuar ndërsa nga MPB thonë se po merren masa për zbardhjen e rastit. /Alsat.mk