Universiteti “Luarasi” organizon konferencën e parë shkencore ndërkombëtare, mbi ekonominë, globalizmin dhe identitetin! Guvernatori Sejko: Kontribut i vyer në edukimin e brezit të ri

Universiteti “Luarasi” organizoi në Tiranë konferencën e parë shkencore ndërkombëtare, mbi ekonominë, globalizmin dhe identitetin. Dekani i Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin Luarasi, Profesor Sherif Bundo shprehet se kjo konferencë i kalon kufijtë e Shqipërisë, pasi në të marrin pjesë ekspertë dhe kërkues shkencorë nga universitete prestigjoze europiane.


“Partner kryesor në organizimin e kësaj konference është Universiteti i Poitiers në Francë, janë dy fakultete me orientim ekonomik në Universitetin e Poitiers, Fakulteti i Shkencave Ekonomike dhe Instituti i Administrimit të Ndërmarrjeve. Kemi referues që vijnë nga Universiteti i Hong Kongut, nga Universiteti i Torontos në Kanada, nga Lozana në Zvicër, nga La Sapienza në Romë, por edhe nga London School of Economics, por edhe partnerë vendas”, tha Bundo.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, përgëzoi Universitetin Luarasi për organizimin e kësaj konference, teksa paraqiti shifrat më të fundit të ecurisë së ekonomisë shqiptare.

“Gjej me vend të përgëzoj Universitetin Luarasi për kontributin e vyer në edukimin e brezit të ri, duke u shndërruar brenda një horizonti të shkurtër kohor në një nga institucionet prestigjioze të edukimit në vend” tha guvernatori i GSH.

Zëvendësministrja e Turizmit Ilva Gjuzi, bëri një pasqyrë të shifrave të rritjes së flukseve turistike të këtij viti, që e rendisin Shqipërinë të parën.

“Të dhënat e 2024 tregon që jemi vendi i parë në Evropë për rritjen e flukseve në Evropë dhe i dytë në Botë”, tha zv.ministrja.

Idetë janë ato që i çojnë përpara shoqëritë u shpreh profesor Fatos Tarifa, e ku më mirë se në Universitet, mund të diskutohet për ide të tilla.

Ndërsa zv/rektorja e Universitetit Luarasi, Anni Dasho, e cilësoi këtë konferencë si një laborator idesh, që mund të vihen në jetë, qoftë nga biznesi apo nga qeveria.

“Jo vetëm idetë akademike, por edhe idete shoqërore janë ato që e kanë cuar përpara zhvillimin shoqërore. Ne mund të prodhojmë shumë gjera, por pak ide. Nuk e dimë cilat ide tërheqin publikun shqiptar” tha Tarfia.

“Konferencat janë laboratorët e gjenerimit të ideve, biznesmenët i kthejnë idetë e këtyre laboratorëve në misioni biznesi, ndërsa politika dhe qeveritë në politika publike”, u shpreh Dasho.

Profesor Et’hem Ruka, rektor i Luarasit, gjatë fjalës së tij e vuri theksin te roli që edhe universitetet duket të kenë në aspiratën e Shqipërisë për t’u integruar në BE.

“Rreth ekonomisë rrotullohen të gjithë sektorët e jetës. Një ekonomi e fortë do të thotë mirëqenie, siguri, arsim më i mirë, një turizëm më i mirë. Axhenda 2030 kërkon impenjim në të gjitha sektorët, përfshi edhe arsimin e lartë”, u shpreh rektori Ruka.

Konferenca të tilla, janë një kontribut i çmuar për ekonominë shqiptare, pasi japin mendime dhe ide që i shërbejnë jo vetëm rritjes së cilësisë akademike, por përfundimet e diskutimeve mund të vihen në zbatim nga institucionet, në funksion të qëllimit të përbashkët për rritjen e ekonomisë shqiptare.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme