Me marrjen në pyetje të dëshmitarëve vazhdoi gjykimi për vrasjen e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska nga Shkupi dhe 74-vjeçarit Pançe Zhezovski, ku i akuzuari kryesor është Ljupço Palevski Palço. I pari që dha deklaratë para gjykatës sot ishte Elvis Ibrahim, inspektor i lartë i stacionit policor të Çairit, i cili më 3 dhjetor të vitit të kaluar ishte një nga policët e pranishëm që bastisi shtëpinë e vëllait të dyshuarit të parë Bllazhe Palevskit. Në deklaratën e tij, Ibrahimi, duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorisë, ka thënë se gjatë kontrollit nuk ka vërejtur që ndonjë nga familjarët ka tentuar të përdorë telefonin dhe këtë nuk e ka bërë askush as nga pjesëtarët e policisë. Elvisi tha se gjatë kontrollit në shtëpinë e vëllait të Palevskit janë sekuestruar një laptop, tablet dhe telefon celular, të cilët janë dorëzuar për analizë mjeko-ligjore. Mbrojtja e të dyshuarit të parë thotë se dëshmitari i ka dhënë gjykatës të dhëna të rreme, gjegjësisht nuk ka thënë të vërtetën. Përveç Ibrahimit, sot para gjykatës do të dëshmojë edhe një tjetër dëshmitar i Njësisë për Krimet Kompjuterike të MPB-së. /Alsat.mk