Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dhënë një intervistë për mediumin kroat, Vecernji List, gjatë qëndrimit të tij në Kroaci, ku është pyetur edhe për rikthimin e Donald Trump, si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kurti mes tjerash, aty foli për sulmin në kanalin e Ibër Lepencit, duke thënë se “hetimi po vazhdon, por dëshmitë tregojnë faktin se Serbia është pas këtij akti terrorist”.

Mes tjerash, ai ka folur për marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë.

“Fatkeqësisht, nuk është për t’u habitur që veprime të tilla kryhen sipas manualeve dhe udhëzimeve nga Federata Ruse. Një shembull i kësaj është e ashtuquajtura qendra humanitare serbo-ruse në Nish, vetëm 160 kilometra nga Prishtina. Thuhet se ajo qendër trajnon rreth 3000 njerëz për “situata emergjente”. Megjithatë, mbetet e paqartë se çfarë do të thotë kjo në të vërtetë”.

Më pas, Kurti ka përmendur “festën” e serbëve për fitoren e Donald Trumpit, gjë e cila, sipas tij ata besuan që do t’u sillte përfitime të reja politike.

“Duke marrë parasysh lidhjet e ngushta energjetike, ushtarake, kulturore dhe historike ndërmjet Serbisë dhe Rusisë, është e qartë se rreziku për Kosovën nuk vjen vetëm nga Serbia, por edhe nga marrëdhëniet e forta dhe të gjera me Kremlinin. Lidhjet e Serbisë me Rusinë po bëhen gjithnjë e më të dukshme, jo vetëm si pjesë e bashkëpunimit ushtarak dhe energjetik, por edhe përmes lidhjes ideologjike. Ne pamë se si serbët në Republikën Srpska dhe Serbi e festuan fitoren e Donald Trump, duke besuar se kjo do t’u sillte ndonjë përfitim të ri politik. Ky perceptim tregon një dinamikë më të gjerë rajonale në të cilën Serbia kërkon të forcojë pozicionin e saj duke u lidhur me interesat ruse dhe shpreson për një kontekst më të favorshëm gjeopolitik nën administrimin e Donald Trump.” – ka thënë ai tutje, transmeton Nacionale.

Tutje kryeministri i Kosovës u pyet nëse pret që ShBA ta ndryshojë politikën ndaj vendit, duke marrë parasysh edhe kritikat që ky ia ka bërë publikisht presidentit tashmë të zgjedhur, Donald Trump.

“Nuk besoj që përcaktuesit kryesorë do të ndryshojnë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e njohin pavarësinë e Kosovës, integritetin dhe sovranitetin tonë territorial dhe kjo nuk do të ndryshojë. Gjatë mandatit të tij të parë, Presidenti Trump u dërgoi një letër paraardhësve të mi në të cilën theksonte se priste një dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që do të përfundonte në mënyrë të ndërsjellë.” – u shpreh ai.