Celiakia është një sëmundje e përjetshme, e cila karakterizohet nga intoleranca ndaj proteinës së glutenit. Gluteni është një proteinë, e cila gjendet në drithëra si gruri, thekra apo elbi.
Në një intervistë për gazetën “Panorama”, mjekja gastrohepatologe Vlera Lekaj, tregon se konsumimi i glutenit vjen me produkte ushqimore të përditshmërisë që mund të cilësohen ndryshe dhe produktet e furrës, që i nënshtrohen kështu procesit të pjekjes, si buka dhe ëmbëlsirat.
Ajo thekson se në momentin që një person shfaq shenja të një intolerance ndaj glutenit, që sigurisht në pamje të parë ngjasojnë dhe me shume sëmundje të tjera, duhet të drejtohet tek mjeku specialist përkatës, pra mjeku gastrohepatolog për diagnostikim dhe trajtim të mëtejshëm.
Cilat janë simptomat e para të një intolerance ndaj glutenit dhe a janë gjithmonë prezente tek një individ i prekur nga ky problem?
Në fakt vlen për tu theksuar që jo gjithmonë si problematikë jep simptoma të shprehura. Shpesh herë është e fshehur tek një pacient, i cili mund të ketë shumë kohë që vuan nga ky problem dhe mund ta zbulojë rastësisht nëpërmjet analizave.
Ndërkohë që ka persona të cilët kanë simptoma të shprehura si p.sh. diarre kronike, fryrje barku të vazhdueshme, humbje peshe pa arsye në disa raste etj. Përveç këtyre mund të ketë dhe simptoma të jashtme si p.sh. një anemi e zgjatur, pra mungesë hekuri, osteoporozë, lodhje, dhimbje artikulare e muskulare si dhe mungesë vitaminash e mineralesh si( Vitamina B12, Ac.Folik, Vitamina D, Kalcium), të cilat zbulohen nëpërmjet analizave të gjakut.
Çfarë mekanizmi e shkakton këtë çrregullim të organizmit, i cili çon në shfaqjen e këtyre simptomave tek njeriu?
iç e përmenda më lart gluteni është proteinë e grurit, thekrës etj. Në momentin që këto produkte bluhen në miell dhe mielli përzihet me ujin për të formuar masën e brumit, është pikërisht kjo masë që përmban dhe proteinat aktive të glutenit, të cilat lidhin ndër të tjera strukturën e brumit, pra janë dhe të domosdoshme, për një brum kompakt, i cili piqet pastaj për të bërë bukën apo ëmbëlsirat.
Por tek disa njerëz këto proteina shkaktojnë një përgjigje inflamatore autoimune në nivel të zorrës së hollë, ku me autoimune kuptojmë që trupi sulmon qelizat e veta, të cilat i identifikon gabimisht si të huaja, si baktere apo elementë të ndryshëm të huaj. Kështu do të kemi një inflamim të mukozës së zorrës së hollë tek e cila përthithen dhe shumë vitamina dhe minerale nga ushqimet, duke shkaktuar sëmundje të saj, dhe si pasojë simptomat e mësipërme.
Problematika më kryesore e kësaj sëmundje, e cila quhet Celiaki është një fenomen i tillë inflamator kronik, i përsëritur sa herë që konsumohet gluten, i cili çon gradualisht në tkurrje të mukozës së zorrës, duke bërë kështu që të përthithen gjithnjë e më pak vitamina dhe minerale nga ushqimet. Prandaj shpesh here këto pacientë kane deficite në vitaminat dhe mineralet e përmendura më sipër.
Cilat janë grupmoshat më të prekura nga kjo sëmundje?
Sëmundja e Celiakisë po vjen e bëhet gjithnjë e më e shpeshtë këto kohë ku statistikisht përcaktohet të jetë i prekur 1 në 70 ose 1 në 200 njerëz në nivel botëror. Momenti i diagnostikimit varion ku shenjat e para mund të shfaqen edhe tek një foshnje që sapo fillon ushqimin për herë të parë e tek të rriturit zakonisht ndërmjet moshës 20 dhe 60 vjeç.
Tek fëmijët e vegjël mund të shfaqet ndërmjet periudhës së muajit të 6-gjashtë ose vitit të parë të jetës, ku prezantohen shenjat klasike të diarresë, fryrjes së barkut, humbjes në peshë, mungesës së oreksit e deri tek problematika të zhvillimit e të rritjes.
Si diagnostikohet kjo sëmundje?
Diagnoza e Celiakisë është një diagnozë përjashtimi fillimisht të sëmundjeve të tjera e më pas një diagnozë konfirmimi e cila konsiston në shenjat klinike në radhë të parë e më pas vazhdohet më tej me analizat laboratorike, pra të gjakut ku përveç anemisë apo mungesës së vitaminave e mineraleve, mund të identifikohen me analizë gjaku anitrupat përkatës, të cilët janë prezent në këtë sëmundje.
Si dhe diagnostikimi imazherik nëpërmjet Endoskopisë ku identifikohen ndryshimet përkatëse të mukozës së zorrës së hollë si dhe në shumë raste merret dhe biopsi. Natyrisht rekomandohen dhe testet gjenetike, të cilat mund të realizohen tek një person dhe pa pasur shenja për të zbuluar predispozitën për të pasur në të ardhmen intolerancë ndaj glutenit.
Përmendët më lart dhe sëmundje të tjera që ngjasojnë me Celiakinë për nga simptomat, cilat janë këto sëmundje?
Janë disa sëmundje të traktit tretës të cilat shkaktojnë simptomatologji të ngjashme ku disa janë dhe sëmundje të rënda të cilët duhet të diagnostikohen sa më herët. Së pari, duhet të përjashtohen tumoret ku zakonisht shoqërohen dhe me simptoma të tilla si prezenca e gjakut me feçe përveç diarresë, anemisë dhe humbjes së peshës. Përveç kësaj ka dhe elementë gjenetikë pra trashëgimie në sëmundjet tumorale. Kolitet janë gjithashtu sëmundje të rënda të zorrës së trashë të cilat shoqërohen përveç simptomave të ngjashme me Celiakinë dhe me prezencën e gjakut në feçe apo temperaturë të lartë, ethe dhe rënie në peshë.
Sëmundja e zorrës së irrituar e cila gjithashtu ka manifestimet e saj të para me diarre, fryrje barku, intolerancë ushqimore, por nuk shoqërohet me rënie në peshë dhe as me prezencë gjaku në feçe. Konkluzionin përfundimtar e jep sigurisht diagnostika laboratorike e shoqëruar dhe me atë imazherike, ku Gold standard është Endoskopia(sonda e stomakut dhe kolonoskopia sonda e zorrës së trashë), sidomos kjo e fundit për patologjitë e kolonit pra zorrës së trashë.
Si trajtohet sëmundja e Celiakisë ose si mbahet nën kontroll duke qenë se është problematikë e përjetshme?
Po është e vërtetë që pacientët e diagnostikuar me Celiaki do kenë një problematikë që do i bashkëshoqërojë gjatë gjithë jetës së tyre duke qenë se është një sëmundje autoimune. Por që sigurisht ka mënyra për të minimizuar simptomat e saj dhe për të pasur një cilësi më të mirë jete. Gjithçka varet nga dieta ushqimore ku eliminimi përfundimtar i glutenit nga dieta e tyre do të çojë në zhdukjen e shenjave.
Një dietë pa gluten është dhe çelësi i mirëqenies së tyre. Dieta pa gluten konsiston në eliminimin e ushqimeve, si: buka me gluten dhe zëvendësimi i saj me një bukë pa gluten. Eliminimi i pastave, ëmbëlsirave, gjithashtu, është shumë i rëndësishëm. Konsumi i produkteve të peshkut, mishit, frutave, patates, orizit e perimeve është çfarë rekomandohet për personat e diagnostikuar me Celiaki/VOLTIZA DURO, Gazeta Panorama