Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka reaguar lidhur me ngjarjen e trishtë të vdekjes së 12 vjeçarit në ambientet spitalore.
Përmes një reagimi zyrtar, QSUT shprehet se i mituri është diagnostifikuar me miokardit akut, një sëmundje kjo që vdekja e tij ishte e pamundur të parandalohej.
Miokardit akut është një sëmundje e zemrës, e cila shkakton dështim të organit ose anormali të ritmit të zemrës.
QSUT shpjegon se i mituri u shtrua në spitalin pediatrik më 7 janar dhe ka ndërruar jetë një ditë më pas, 8 janar, në orë 01:45.
I mituri u dërgua me urgjencë nga shkolla e fshatit Vashtëmi drejt urgjencës së Korçës, pasi shfaqi simptoma të tensionit të lartë, e më pas u transferua në Tiranë për mjekim të specializuar. Sipas burimeve, 12 vjecari ishte shtruar në spital dy herë më parë për shkak të problemeve shëndetësore.
Reagim për mediat lidhur me rastin e pacientit L.S., 12-vjeç
QSUT i shpreh ngushëllimet më të thella familjes së 12-vjeçarit L.S në këtë moment të vështirë.
Nisur nga interesi i publikut për rastin tragjik të ndarjes nga jeta të 12-vjeçarit, informojmë se pacienti L.S. është hospitalizuar në Spitalin Pediatrik të QSUT më datë 7 janar 2024 dhe ka ndërruar jetë më datë 8 janar 2025, në orën 01:45, në Shërbimin e Terapisë Intensive Pediatrike. Pas ekzaminimeve të kryera, pacienti është diagnostikuar me miokardit akut, një sëmundje e rrallë dhe e rrezikshme, e cila shoqërohet me shkallë të lartë të vdekshmërisë.
Pavarësisht kujdesit maksimal dhe trajtimeve të kryera sipas protokolleve mjekësore, ndarja nga jeta e pacientit ka qenë e pamundur të parandalohet.
Duke mirëkuptuar dhimbjen e familjes dhe interesin e publikut, QSUT riafirmon përkushtimin për transparencë dhe për ofrimin e trajtimeve më të mira për çdo pacient.