14 vite kanë kaluar nga ngjarja e rëndë e 21 Janarit, ku 4 protestues të opozitës së asaj kohe mbetën të vrarë në bulevardin Dëshmorët e Kombit në Tiranë.
E ftuar në emisionin “Open” në News 24, gazetarja Klodiana Lala, ka folur për këtë çështje.
Gazetarja tha se ka një pakt të heshtur mes partive politike në Shqipëri, që kjo ngjarje të mos zbardhet, teksa theksoi se tragjedia e 21 janarit po përdoret politikisht nga opozita dhe mazhoranca.
Klodiana Lala: Ajo që shoh unë se çfarë ndodh çdo vit në bulevard është hipokrizi e pastër e mazhorancës. Politika është bërë bashkë për mos e zbardhur 21 janarin. Demonstrata e 21 janarit e 2011 u thirr nga opozita e aso kohe me Edi Ramën…sot Rama duhet të hetohet, SPAK duhet të nisë që nga Rama si organizator i protestës…dhe më pas të shkohet deri te urdhëruesit e ngjarjes….Duke patur parasysh se janë të gjithë krerët e politikës ka pakt të heshtur që kjo histori të mos zbardhet.
Sot duhet të ketë hetim për prokurorët e çështjes deri te kryeprokurorja, zonja Ina Rama duhet të japë shpjegime.Uroj që SPAK t’i shkojë deri në fund kësaj historie. Vetëm nëse do ketë një bashkëpunim ndërkombëtar, ose nëse do ketë të penduar, ndryshe historia e 21 Janarit do të jetë një histori që do përdoret nga politika për arsyet e tyre.