Gazetare: Fatlume Dervishi
Fakulteti i Shkencave Mjekësore i Universitetit të Merkos përsëri bën lajm, disa muaj pasi mori leje funksionimi nga qeveria e kaluar. Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka kërkuar nga Kuvendi shkarkimin e Drejtorit të Agjencisë për cilësinë e arsimit të lartë, Rasim Zuferi, në kuadër të të cilës Agjencie bie edhe Bordi për akreditim në Arsimin e Lartë. Ministria në raportin e saj thotë se nuk janë respektuar kriteret dhe ka pasur lëshime gjatë dhënies së akreditimit për Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë në UNS. Sipas raportit, Drejtori është përgjegjës për vendimet e Bordit të Akreditimit dhe Bordit të Evaluimit. Komisioni miratoi propozimin për shkarkim kurse ai duhet të miratohet edhe në seancë plenare.
Në raportin e dorëzuar në Kuvend, ministria ka dorëzuar edhe vendimin për shfuqizimin e vendimit për fillim me punë të Fakultetit për Shkencat Shëndetësore.
Debati për shkarkimin e drejtorit Zuferi u zhvillua në komisionin për zgjedhje dhe emërime në Kuvend.
“Nga raporti që ka dorëzuar drejtori vërehen lëshime nga ana e Agjencisë dhe ata theksohen edhe nga shkresa e ministres së Arsimit dhe Shkencës. Raporti na është dorëzuar që të veprojnë në kuadër të kompetencave si Komision për Zgjedhje dhe Emërime. Sipas ligjit, drejtori mund të shkarkohet para kalimit të mandatit për shkak të punës joprofesionale dhe të papërgjegjshme”, tha Gjorgjija Sajkovski, Kryetar i Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime.
Fronti Evropian kundërshton. Sipas tyre, Kuvendi nuk ka respektuar procedurat për t’i njoftuar në kohë me materialet dhe se drejtorit Zuferi duhet t’i jepet hapësira për sqarime. Disa prej tyre madje e quajtën atë hakmarrje politike me bazë diskriminimi etnik.
“Ju përmes këtij komisioni dhe përmes kësaj mënyrë të punës kërkoni të kontrabandoni vendime të cilat sigurisht do ju shkojnë përshtat politikave tuaja por kjo nuk është në rregull. Ne si deputetë e kemi me rregullore, me ligj, me Kushtetutë, neve na përket dhe kemi të drejtë te kemi qasje te materialet. Një tjetër gjë shqetësuese, përse nuk ju mundësua zotriut në fjalë të jetë prezent këtu dhe të prezantojë rezultatet e punës së tij. Nëse i zgjedh Kuvendi personalitete të tilla, atyre duhet t’u jepet mundësia që të vinë këtu dhe ta arsyetojnë punën e tyre dhe jo të marrin informatën e shkarkimit përmes telefonit”, deklaroi Rina Ajdari, Fronti Evropian.
“Ministrja nuk është aty për të zhvilluar procedura. Nga ky raport, ajo sjell konkluzion, gjë që është fatale sepse ndaj këtij personi nuk është zhvilluar asnjë procedurë. Nëse zhvillohet procedurë transparente dhe vërtetohet fajësia, nuk është problem. Në vendim nuk ka asnjë fakt. Si shkarkoni dikë pa pasur fakte? Nëse e respektojmë sado pak drejtësinë, unë nuk them që nuk është fajtor, ndoshta është plotësisht fajtor, por presumimi i pafajësisë duhet të respektohet”, tha Sali Murati, Fronti Evropian.
“Kujdes, ne kemi problem që Fakulteti për Shkenca Shëndetësore ka filluar me punë ose është akredituar mbi të dhëna jo të plota dhe jo të sakta. Në vend se të fokusohemi te ky që është problem real në shtet, problemi me arsimin e lartë, problemin me këtë universitet, në problemin se në cilin nivel e kemi arsimin e lartë, në problemin se përse akreditohen Universitete të caktuara të cilat prodhojnë diploma… ne fokusohemi në të drejtën juridike se përse drejtori s’është ftuar, ose përse ka firmosur ministrja”, deklaroi Nikolla Micevski, VMRO-DPMNE.
Alsat dërgoi pyetje për koment në e-mailin zyrtar të drejtorit Zuferi nga faqja e Agjencisë për Cilësinë e Arsimit të Lartë por deri në këto momente nuk morëm përgjigje.
Qeveria e kaluar LSDM-BDI në fund të mandatit dhe vetëm pak ditë para largimit, kishte dhënë me shpejtësi vendimin për formimin e këtij program studimor. Universiteti ishte drejtuar me kërkesë në 7 qershor kurse më 11 qershor, ministri i atëhershëm i Arsimit Jeton Shaqiri, ka nënshkruar vendimin për plotësimin e kushteve për fillim të punës së këtij institucioni, të cilin thote se e kishte bazuar në raportin e komisionit brenda ministrisë.
Universiteti Ndërkombëtar i Strugës, i njohur publikisht si Universiteti i Ramiz Merkos, është përballur vazhdimisht me kritika për mënyrën e hapjes së drejtimeve të reja, regjistrimin e studentëve dhe dhënien e diplomave. /Alsat.mk