Më 15 korrik të vitit të kaluar, është mbajtur shqyrtimi fillestar në çështjen penale ndaj kryetarit të Komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri, shefit të Prokurimit në Mitrovicë Haxhimet Ferati dhe drejtorit të operatorit ekonomik “Hesalight” për Kosovë Gazmend Kelmendi. Gjatë seancës në fjalë, të pandehurit Bahtiri dhe Ferati ishin deklaruar të pafajshëm për veprën penale me të cilën ngarkohen, “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. I pafajshëm ishte deklaruar edhe i pandehuri Kelmendi, i cili po akuzohet për veprën penale ”marrëveshje për kufizimin e konkurrencës përmes ftesave për tender”.
Mirëpo që nga ajo kohë, kjo lëndë është duke u zvarritur, dhe as pas pothuajse 8 muaj nuk ka arritur që të konfirmohet apo të hudhet poshtë aktakuza.
Pas mbajtjes së shqyrtimit fillestar, mbrojtësi i Kryetarit të Komunës së Mitrovicës, avokati Mahmut Halimi, kishte parashtruar kundërshtimet e tij lidhur me provat e cekura në aktakuzë. Gjyqtari Beqir Halili kishte hedhur poshtë kundërshtimet e mbrojtjes dhe kishte konfirmuar aktakuzën.
Ndaj këtij aktvendimi, mbrojta kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit. Kjo e fundit i kishte aprovuar ankesat e mbrojtjes, dhe lëndën e kishte rikthyer në rivendosje.
Megjithatë, edhe pas rikthimit të lëndës në rivendosje, gjyqtari Halili nuk u kishte dhënë të drejtë mbrojtjes, dhe kishte hedhur poshtë ankesat e tyre duke konfirmuar edhe një herë tjetër aktakuzën.
Aktualisht, lënda është përsëri në Gjykatë të Apelit, e cila pritet që përsëri të vendosë në lidhje me ankesat e mbrojtjes.
I kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi”, avokati Mahmut Halimi ka deklaruar se një zvarritje e tillë nuk është aspak e arsyeshme. “Zvarritja e kësaj lënde është plotësisht e paarsyeshme. Është obligim ligjor që gjykata e shkallës së parë të marrë parasysh udhëzimet e gjykatës më të lartë, gjë që nuk ka ndodhur në këtë rast” deklaroi Halimi për “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës pretendon se Agim Bahtiri në pozitën e Kryetarit të Komunës së Mitrovicës, së bashku me Haxhimet Feratin, shef i zyrës së prokurimit të kësaj Komune, kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllimit të përfitimit të kundërligjshëm. Këtë përfitim pretendohet se e kanë sjellë për operatorin ekonomik ” HESALIGHT A/S, ku drejtor për Kosovë tani është i akuzuari Gazmend Kelmendi. Të njëjtit pranë Autoritetit Kontraktues kanë nënshkruar kontratën me titull ” Furnizim, montim dhe mirëmbajtje e ndriçimit publik efiçiente në të gjitha rrugët e qytetit të Mitrovicës”, ofertë kjo e bazuar në marrëveshje të kundërligjshme, qëllimi i të cilës ishte kufizimi i konkurrencës së lirë. Tutje sipas prokurorisë Komuna e Mitrovicës ka pranuar ofertën e paraqitur nga Kelmendi me çmim prej 767.940.00 euro, dëm ky i shkaktuar Komunës, gjegjësisht buxhetit të Kosovës. Në këtë mënyrë të pandehurit pretendohet se kanë vepruar në kundërshtim me dispozitat ligjore duke mos e njoftuar KRPP-në.
Po ashtu te njëjtit nuk e kanë publikuar njoftimin për dhënie të kontratës me qëllim që të shpërblehet operatori ekonomik në fjalë, përkundër faktit se ka pasur edhe operatorë tjerë lidhur me ofrimin e shërbimeve te njëjta.
Aktakuza ngarkon të pandehurit Agim Bahtirin dhe Haxhimet Feratin për veprën penale “keqpërdorim të pozitës zyrtare”, përderisa i pandehuri Gazmend Kelmendi ngarkohet me veprën ” Marrëveshje për kufizimin e konkurrencës përmes ftesave për tender”.