Skandalet e zv/kryeministrit dhe ministrit për Marrëdhënie Mes Bashkësive Stoillkoviq – Qëndrime nxitëse etnike, i afërt me qarqet ruse e serbe derisa Kosovën e ka quajtur “Kosova dhe Metohija”

Gazetare: Fatlume Dervishi                           

Veprimet e zv/kryeministrit dhe ministrit për Marrëdhënie Mes Bashkësive Ivan Stoillkoviq kanë qenë shpesh në kundërshtim me frymën e bashkëjetesës. Ai nuk e ka fshehur asnjëherë afërsinë e tij me politikanët serb dhe qarqet ruse.

Në maj të vitit 2023, Stoilkoviq mori pjesë në Samitin e 11 të Sigurisë në Moskë në shoqëri të drejtorit të BIA-s serbe, Aleksandar Vulin, Ministrit të Jashtëm serb Ivica Daçiq dhe presidentit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik. Në fotografinë kolektive duket edhe shefi i Shërbimit Sekret të Federatës Ruse, Sergej Naryshkin. Stoilkoviq njihet edhe për mik i afërt i ish agjentit serb, Goran Zhivaljeviq i cili më 27 prill të vitit 2017 ishte futur gjatë dhunës në Kuvend, incident diplomatik pas të cilit u tërhoq nga BIA serbe.

Gjenocidin e Srebrenicës, në një postim në profilin e tij në rrjetet sociale e quajti “Diznilend nekrofil”, në periudhën kur ishte deputet në Kuvend.

“Diznilendi nekrofilik “Srebrenica”… Fakti që Aliu, Bujari dhe Artani kanë marrë guximin që ta ngrisin nivelin e armiqësisë drejt Serbisë dhe popullit serb në nivel më të lartë në kundërshtim me vullnetin e popullit maqedonas flet qartë se sa poshtë ka ra Maqedonia dhe shtetësia e saj”, kishte thënë Stoillkoviq.

Ndaj tij, dy subjekte boshnjake të vendit, Bashkimi Demokratik Boshnjak dhe shoqata e Këshillit Nacional Boshnjak kanë ngritur kallëzim penal për mohimin dhe talljen e gjenocidit në Srebrenicë.

Stoillkoviq kishte thurur lavde për terroristët serbë që u vranë në Banjskë të Zveçanit nga zyrtarët policorë të Kosovës.

“Lavdi e përjetshme popullit serb që me gjithë terrorin e paparë mbijeton në djepin serb dhe nuk i lë vatrat e tij shekullore përballë bishave të egra të Kurtit dhe dragonjve ndërkombëtarë. Lavdi serbëve nga Kosova që dhanë jetën në mbrojtje të shtëpive dhe tokës së tyre amtare nga shtypja dhe tirania në rritje nga autoritetet e regjimit pushtues të shqiptarit dhe prehu në paqe polici shqiptar”, ishte shprehur Stoillkoviq.

Në publikimet e tij Kosovën e quan Kosova dhe Metohija, qëndrime që janë publikuar edhe në faqen zyrtare të ministrisë. Ai ishte i vetmi që refuzoi pjesëmarrjen në mbledhjen e përbashkët të qeverive Kosovë-Maqedoni.

Alsat kishte raportuar në vazhdimësi edhe për mungesën e dygjuhësisë në faqen zyrtare të ministrisë për Marrëdhënie mes Bashkësive, edhe përskaj detyrimit ligjor.

Kryeministri Hristijan Mickoski kur publikoi emrat e kabinetit të tij në qershor, u përgjigj edhe për shqetësimet e opinionit rreth Stoillkoviqit. Ai tha se beson atdhedashurisë së Ivan Stoilkoviqit për Maqedoninë e Veriut.

“Unë besoj në ndershmërinë, sinqeritetin dhe pozitat e tij pro-atdhedashëse. Si do të kalojë koha do të bindeni në kohezionin e këtij ekipi që do të punojë për të ardhmen e këtij atdheu të përbashkët”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.

Stoillkoviq bëri lajm edhe në dy ditë e fundit, me organizimin e ceremonisë për të shënuar “Sveti Sllavën”. Vizita e Presidentit të republikës Srbska Milorad Dodik në ceremoninë e mbajtur në Teatrin Popullor Maqedonas nxiti reagime të shumta pasi u përcollën mesazhe Anti-NATO e Anti-BE.

Dodik, në “listën e zezë” amerikane për shkak të aktiviteteve korruptive dhe destabilizuese në rajon, si dhe i njohur si mbështetës fanatik i politikave të Kremlinit zyrtar, tha se “Populli serb, të cilit po përpiqen t’i veshin etiketa nga lufta e kaluar civile në Bosnjë-Hercegovinë, nuk i ka të njollosura duart.

Gënjejnë kur flasin për gjenocid, gënjeshtra të administratës amerikane, që edhe sot nuk na lejon të jetojmë të lirë, tha Dodik, duke i thurur elozhe Rusisë, dhe duke theksuar orientimin e kësaj republike si dhe Beogradit Zyrtar kundër NATO-s. Nga fjalimi i Dodik u distancua kryeministri Mickoski.

“Sa i përket deklaratave për anti-NATO, e refuzoj kategorikisht dhe nuk pajtohem. Nuk prisja që ai të keqpërdorte ngjarjen,” tha kryeministri Hristijan Mickoski. Në ngjarje, i pranishëm ishte edhe vetë ambasadori rus, Sergej Bazdnikin, si i ftuar i veçantë në akademinë e organizuar nga Stoilkoviqi. / Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme