“Po hante një kafshatë bukë”- Djali iu vra nga tritoli që iu vendos motrave Nikolli, babai i Enea Thomarajt: I doli gjak nga veshët! S’hyja dot në spital se…

Gledian Muka, nuk është i pafajshmi i vetëm të cilit plumbat i kanë marrë jetën në këto vite në përplasjet midis grupeve kriminale. Njerëz në hallin e tyre që siç thamë kanë ikur nga kjo jetë pa e kuptuar se cili ishte faji i tyre. Të cilët u gjendën në breshërinë e plumbave, apo në shoqërinë dhe vendin e gabuar.


Enea Thomaraj ishte vetëm 29 vjeç, kur u nda nga kjo jetë më 4 shtator 2024, pas 2 muaj e 20 ditë lëngimi në një shtrat të spitalit të Traumës në Tiranë.

Pasi mëngjesin e herët të datës 14 Korrik të këtij viti, ai u plagos rëndë nga shpërthimi i një sasie eksplozivi të vendosur në derën fqinje me atë të familjes së tij, në një apartament në lagjen ‘Haxhias’ në Elbasan.

Atë ditë Enea ishte pushim dhe për këtë arsye akoma nuk kishte rënë në gjumë. Pavarësisht se ora shënonte 2.15 e mëngjesit.

Artur Thomaraj: Ishte ora 2.15. Çunat si gjithmonë ishin në telefon. Deri në atë orë ishin zgjuar. Enea ishte matanë dhe në atë moment ishte duke ndenjur në kuzhinë, po hante një kafshatë bukë. Në atë çast sa doli te dera e kuzhinës, për te dera e banjës, ndodhi shpërthimi që ishte sa për 20 rrufe së bashku.

Ajo që pasoi në vazhdim ishte një skenë e tmerrshme.

Babai i Eneas, Artur Thomaraj, rrëfen nëpërmjet dhimbjes së në këtë moment tragjik për të, si pasojë e goditjes së fortë që mori në kokë, nga zhvendosja e derës që e përplasi në tokë, i biri filloi të humbasë kontrollin e vetëvetes.

Dhe që nga ky moment të mos përmendet më.

Artur Thomaraj: Dera u thye në dysh, i ra çunit në kokë. Në atë moment çohet nusja ta përmendë. Por në atë çast ai i jep një të shtyrë. Kur ishte shtrirë në divan filloi t’i dalë gjak nga veshët dhe goja, Shpërthimi ishte shumë i fuqishëm.

Askush në atë moment nuk mundej të kuptonte diçka.

E vetmja gjë që mund të kuptonin në ato çaste ishin se kishin të bënin me një shpërthim dhe se Enea kishte nevojë për ndihmën e parë mjekësore.

Babai i tij thotë se nuk i njihte motrat Alda dhe Xhovana Nikolli.

Aq më pak të kishte njohuri për të shkuarën e tyre, të lidhur me dy eksponentë të rrezikshëm të krimit. Alda që ishte në një lidhje intime me të penduarin e drejtësisë Nuredin Dumani dhe që kishte një vajzë të vogël.

Dhe Xhovana që ishte e fejuara e të penduarit tjetër të drejtësisë Amarildo Nikolli.

Motrat të cilat nuk pësuan asnjë dëmtim nga kjo ngjarje, pavarësisht se eksplozivi atë mëngjes ishte adresuar për to.

Vetë babai i Eneas, thotë se njëra nga vajzat që kishte edhe një fëmijë të vogël rrinte afërsisht prej 18 muajsh me qira në apartamentin përballë tyre.

Për shkak të fëmijës së vogël që kishte, bashkëshortja e tij, e ndihmonte shpesh me ç’të mundej qiraxhien përballë.

Artur Thomaraj: Lënda shpërthyese ishte vendosur në derën përballë me derën time. Përballë ishin një qiraxhi. Kishin një vit e ca që rrinin aty. I kemi afruar, u kemi dhënë kafe. Nusja i çonte bukë vajzës. Kërkonin tepsi për të bërë byrek i ndihmonim. Kjo pasi e ëma e asaj vajzës kishte të njëjtin emër me të nuses sime.

Por komshinjtë mesa duket nuk zgjidhen. Ashtu si edhe qiraxhinjtë. Dhe ky mesa duket ishte fati i keq i Eneas dhe i familjes së tij, të cilët tashmë vuajnë humbjen e trishtë të tij.

Një djalë që për të ndihmuar familjen, ishte i detyruar të punonte me tri turne.

I cili nuk i bëri kurrë keq në këtë jetë dhe që gëzonte respektin e gjithsekujt në shoqëri.

Artur Thomaraj: Ka ardhur një person që kishte pirë njëherë kafe me Enean duke qarë. E kishte njohur Enean rastësisht, ishte ulur në tavolinë dhe ai e kishte qerasur me kafe. Ishte i dashur më të gjithë. Kur dikush i kërkonte ndihmë, i çonte edhe me makinë në spital natën.

Edhe sot babai qan fatin e keq të të birit, teksa kujton se atë ditë që tragjedia ra në banesën e tyre, ai ishte pushim.

Dhe me trishtim të thellë thotë se sikur të kishte qenë ndryshe, djali i tij ndoshta sot do të ishte në jetë.

Dhe ai shpërthim që e vrau dhe e ndau nga jeta 2 muaj më pas, mund ta kishte kursyer.

Artur Thomaraj: Djali im ka qenë djali më i pastër, nga të gjitha anët. Nuk donte asnjë minutë të rrinte pa pnnë sepse donte të ndihmonte familjen. Kur ishte turni i parë ose i dytë kohën e lirë e kalonte në palestër.

Nga palestra shkonte dhe merrte të vëllanë nga puna. Pinin ndonjë kafe të dy. Po edhe kafenë poshtë, jo në lagje.

Me siguri autorët e vendosjes së eksplozivit në apartamentin e marrë me qira nga motrat Nikolli, e dinin se ato po lëviznin nga banesa.

Kjo duket se ka shpejtuar dhe planin e tyre për të vënë lëndën plasëse në derën e apartamentit ku motrat jetonin.

Aty ku edhe sot janë të dukshme shenjat e shpërthimit të fuqishëm që la pas ajo natë. Pasoja që në vazhdim u detyrua t’i paguajë familja e Eneas. E cila i qëndroi te koka e shtratit në spital deri ditën e fundit kur ai ndërroi jetë. Ndërsa babai i tij thotë se nuk kishte guximin ta shikonte të birin në atë gjendje, duke u tretur çdo ditë në atë krevat.

Artur Thomaraj: 2 muaj e 20 ditë në hotel. Me 30 mijë lekë nata flinte nusja. Se ku do rrinte. Ndejti rrugëve 3 netë. Ata të spitalit e kanë ndihmuar. Siç thotë nusja. Se unë nuk hyja dot se nuk e shikoja dot çunin në atë gjendje.

Pavarësisht se kanë kaluar disa muaj nga ngjarja ku Enea Thomaraj humbi jetën, policia në një njërën anë dhe drejtësia në krahun tjetër, duket se nuk kanë bërë asgjë për zbardhjen e këtij krimi.

Ndërkohë që i vetmi detaj që dihet është se autori me një kapuç në kokë erdhi me një biçikletë në lagjen ‘Haxhias’ dhe pasi vendosi eksplozivin në derën e motrave Nikolli, u largua nga aty po kaq qetësisht me të njëjtin mjet.

Këtu ku e vetmja derë që u shkatërrua ishte ajo e familjes Thomaraj, pasi ajo e motrave duket se ishte e blinduar mjaftueshëm për të mos u rrëzuar në tokë.

Artur Thomaraj: Unë i bëj thirrje drejtorit të policisë që ka qenë drejtor në Elbasan; i bëj thirrjet SPAK-ut, që ta zbardhin këtë ngjarje, Pse u bë, pse i ndodhi djalit tim. Kur fëmijës tim i thosha hajde në shtëpi dhe vinte në orën 8-9, ose në 10 në behar. Dhe jo të vinte ta gjente e keqja brenda në shtëpi.

Por ndërsa babai i Enea Thomaraj bën thirrje për drejtësi, shumë viktima të tjera të pafajshme vazhdojnë të mos e marrin një të tillë.

Ashtu siç ishte rasti i banakieres Mimoza Paja.

Gruas, nënës, gjyshes, e cila u vra nga pabesia e plumbave në sy të mbesës së saj në atë që njihet si Masakra e ‘Don Boskos’.

Mimoza, e cila kishte 10 vite që jetonte me qira në një banesë fare pranë lokalit ku punonte njëkohësisht si banakiere dhe kamariere.

Qira të cilën kishte afro 6 muaj të cilën nuk e paguante dot.

Dhe për këtë arsye ishte detyruar të punonte deri në 16 orë në ditë.

Deri mbrëmjen e 13 Marsit 2023, ku plumbat të që në fakt u ishin adresuar të zotëve të lokalit ku punonte, në pronësi të Fation Muratit, një tjetër personazhi problematik të botës së krimit, i morën jetën.

Të njëjtën dhimbje që vuan sot edhe babai i Gledian Mukës, i cili edhe ky u vra në mënyrë të pafajshme vetëm një javë pasi Enea Thomaraj, një tjetër viktimë po e pafaj, kishte rënë në agoni të thellë në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Ashtu siç më herët kishin humbur jetën në skena të tilla makabre edhe të tjerë të ngjashëm fatkeq.

Si Musaen Zeneli, 20 vjeçari i cili mbeti i ekzekutuar në masakrën me katër të vrarë në Velipojë, të ndodhur mbrëmjen e 27 Qershorit 2021, midis 2 familjeve pronare hotelesh.

Asaj Ferracaku dhe Gocaj që u përfshinë në një konflikt të armatosur për disa metra katror plazh dhe shezlongë.

Po ku midis atyre që e pësuan nga plumbat ishte edhe Musaeni, i cili e kishte ditën e tij të dytë të punës në hotel.

Apo Erjon Çela, shitës në një kinkaleri ngjitur me lokalin ku u qëllua.

35 vjeçari, baba i dy fëmijëve në moshë të mitur, që mbeti i ekzekutuar në atë që sot njihet si Masakra e parë e Don Boskos, me një të vrarë dhe katër të plagosur.

Masakër e ndodhur më 4 Janar 2022 në Tiranë, ku nga hetimet e mëvonshme rezultoi se autorët kishin ngatërruar objektivin e atentatit.

Apo edhe masakra e fundit në fshatin Dobraç në Shkodër, e ndodhur më 30 Tetor 2024.

Ku krahas dy shënjestrave të mundshme të atentatit, Hamza Lici dhe Arlind Bushati, humbën jetën edhe bashkëshortët Flutura dhe Bashkim Basha.

Të cilët po ktheheshin nga punët e tyre të përditshme kur u gjetën pjesë e një skene ngjarje, e cila nuk ishte e tyre.

Shumë jetë të pafajshme të marra padrejtësisht në vitet e fundit.

Midis të cilëve edhe ajo e Gledianit, ku edhe sot prindërit e tij jetojnë me pengun që djali i tyre iku pa ngrënë vaktin e fundit të drekës në shtëpi.

Hamza Muka: Mua si prind më ka mbetur në mend me bashkëshorten time, pasi ai nuk arriti të konsumonte as ushqimin e drekës. Më ka thënë që do shkoj te puna dhe do kthehem shumë shpejt në shtëpi meqë nuk ka njerëz në qytet. Kjo ishte biseda e fundit me të.

Ndërsa sot i vetmi kujtim që babai i Gledianit ruan janë sendet personale të të birit.

Të mbetura atë mbrëmje të zezë në lokalin ku ai humbi jetën.

Ndoshta të vetmet sende pa frymë që mund ti ngushëllojnë disi, por që nuk mund tua kthejnë djalin në banesë.

Ashtu siç bënte çdo natë, ndërsa përfundonte punën.

Ndërsa sot të vetmen gjë që i kërkon drejtësisë është të vendosë drejtësi.

Dhe shpirti i Gledianit të prehet në paqe.

Por edhe ata vetë të dinë kush ua vrau djalin.

Hamza Muka: Ky telefon dhe këto çelësat e shtëpisë, djali i kishte brenda lokalit në tavolinën e fundit afër televizorit. Unë këto i kam siguruar nëpërmjet shokut të tij të ngushtë. Unë çunin tim e kam rritur, e kam edukuar me mundësitë e mia, gjë për të cilën i kërkoj shtetit shqiptar, që sa më parë të zbardhë këtë ngjarje, pasi nuk e duroj më këtë dhimbje që më ka shkaktuar.

Tashmë e vetmja këshillë që ka babai i Gledianit për të gjithë të rinjtë është që për të mos pasur fatin e keq të djalit të tij të informohen fillimisht me kë shoqërohen dhe ku punojnë.

Ndoshta si i vetmi shpëtim, për të kursyer jetën e tyre, dhe për ta mbajtur atë larg plumbave që po korrin jetë të pafajshme.

Glediani që sot mund të ishte duke udhëtuar drejt ëndrrës amerikane.

Apo edhe mund ta kishte prekur.

Por që mizoritë e kësaj çmendurie shpeshherë e themi shqiptare ia prenë në mes këtë udhëtim…

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme