Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në Jabllanicë të Gjakovës, ku si pasojë e shembjes së një shtëpie të pabanuar kanë humbur jetën tre fëmijë.
Lajmin për Telegrafin e konfirmoi zëdhënësi i policisë në Gjakovë, Sheremet Elezaj.
Ai ka theksuar se personeli mjekësor ka konstatuar në vendngjarje vdekjen e tre fëmijëve dhe se lidhur me rastin është njoftuar prokuroi i shtetit.
Viktimat e këtij rasti tragjik raportohej të jenë të moshës 15 dhe 16 vjeç.
Ndërkaq në faqen e fshatit Shqiponjë, janë bërë të ditur edhe emrat e viktimave që janë nga familja Ramaj, Mehmetaj dhe Morina.
Kryetari i Gjakovë, Ardian Gjini është shprehur i tronditur nga ky rast. Në një postim në Facebook, Gjini u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave.
“Jam i tronditur nga lajmi për humbjen e jetës së tre fëmijëve në Jabllanicë sonte! Ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet! Nuk ka fjalë që e shprehin dhimbjen! Le të bëjmë krejt çka mundemi të jemi me familjet në këto çaste të rënda! Qofshin të parajsës engjëjt!”, ka shkruar Gjini. /Telegrafi.