Rriten pagat e ushtarakave me +23% krahasuar me vitin 2024, sa do të variojë shtesa e rrogës sipas pozicioneve të punës! Ja sa do të përfitojnë nga trajtimi financiar

VOLTIZA DURO/ Prej 1 janarit të 2025-ës paga e ushtarakëve do të rritet me 23% krahasuar me një vit më parë. Lajmi është bërë me dije nga ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, përmes një publikimi që ai ka bërë në rrjetet sociale.


Sipas Vëngut, në katër vitet e fundit rritja totale ka arritur mbi 70%, duke e cilësuar këtë një investim në siguri dhe vlerësim për sakrificën e Forcave të Armatosura Shqiptare.

“Forcat e Armatosura Shqiptare, më të mirëpaguara dhe më të mirëtrajnuara! Nga 1 janari 2025, paga e ushtarakëve rritet me 23% krahasuar me një vit më parë! Në 4 vitet e fundit, rritja totale ka arritur mbi 70%! Investim në siguri, vlerësim për sakrificën!”, – shkruan Vengu.

Më herët, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, e ka cilësuar vendimin si një hap të rëndësishëm për një trajtim dinjitoz të ushtarakëve shqiptarë krahasuar me vendet e rajonit.

VENDIMI I QEVERISË

Këshilli i Ministrave miratoi me propozim të Ministrisë së Mbrojtjes, vendimin që përmirëson ndjeshëm trajtimin financiar të personelit të Forcave të Armatosura. Rreth 6000 efektivë do të përfitojnë nga ky vendim, 2500 prej tyre e marrin për herë të parë shtesën mbi pagën. Trajtim më të mirë financiar do të përfitojnë edhe kapacitete kombëtare si: forcat speciale, pilotët, inxhinierët dhe teknikët e mirëmbajtjes, njësia Cyber, dronët, forcat e dedikuara për emergjencat civile dhe shumë e shumë kapacitete të tjera.

“Trajtimi financiar për personelin fluturues dhe mbështetës, sipas këtij vendimi do të variojë deri në 100.000 lekë mbi pagën në muaj dhe nga ky vendim përfitojnë rreth 200 ushtarakë. Për efektivët e Agjencisë së Inteligjencës, trajtimi financiar mbi pagën shkon deri në 20.000 lekë në muaj për rreth 150 ushtarakë. Për ushtarakët aktivë të strukturave të tjera, shtesa mbi pagën shkon deri në 70.000 lekë në muaj, duke përfshirë edhe ata ushtarakë që nuk e kanë përfituar më parë këtë shtesë”, thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.

Ky vendim vjen vetëm 4 muaj pas rritjes së pagave që u bë për kategori të caktuara të Forcave të Armatosura. Prej vitit 2022 pagat e efektivëve të FA kanë pësuar rritjen më të madhe në histori, prej gati 40%. Ministria e Mbrojtjes dhe qeveria janë të angazhuara të investojnë që trajtimi financiar i efektivëve të FA të shtohet çdo vit, për t’i përafruar me nivelin mesatar të vendeve të Aleancës së NATO-s, duke e konsideruar njëkohësisht një investim për sigurinë kombëtare. Ky vendim synon të forcojë kapacitetet kombëtare dhe të përmirësojë cilësinë e shërbimeve të Mbrojtjes Civile.

/Gazeta Panorama

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme