Gazetar: Zekirija Haxhiu
Këshilli Socio-ekonomik sot nuk pati kuorum që të merr vendime të reja mbi shqyrtimin e shportës konsumatore. Mandati i njërës sindikatë ka përfunduar dhe nuk ka qenë e mundur të merret vendim, por takimi është mbajtur vetëm sa për të dëgjuar kërkesat e tyre dhe të punëdhënësve. Është vendosur që të formohet një komision prej 9 anëtarëve i përbërë me nga tre përfaqësues të Qeverisë, sindikatave dhe punëdhënësve. Ky komision do t’i zgjedh reprezentuesit me të drejtë vote në Këshillin Socio-ekonomik që përbëhet nga 12 anëtarë, çdo sektor nga 4 anëtarë.
Në takim nuk u arrit marrëveshje as për shportën konsumatore as për pagën minimale. Për Ministrinë e Ekonomisë, është e gabuar mënyra e përllogaritjes së shportës konsumatore, sepse aty bëjnë pjesë produkte sezonale të cilat në disa periudha nuk konsumohen. Vërejtje tjetër, ka qenë dhe llogaritja e harxhimeve për transport të nxënësve, i cili është falas.
“Kërkuan që të kemi dy përllogaritje, të kemi dy shporta konsumatorë. Të sindikatave dhe të Entit të Statistikave apo Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës por këtë unë nuk e pranova pasi që duhet të kemi vetëm një shportë konsumatorë ku do të jenë të përfshirë të gjitha palët. Do të jetë neutrale dhe reale”, tha Besar Durmishi – Ministër i Ekonomisë.
Derisa pritet të përllogaritet sa do të jetë rritja e pagës minimale në muajin mars, sindikatat kanë kërkuar rritje të pagës minimale në 450 euro. Kjo për Qeverinë nuk përbën problem por duhet të arrihet marrëveshje mes punëdhënësve dhe sindikatave. Siç njoftoi ministri i ekonomisë Besar Durmishi, ky është një proces që merr kohë.
“Ata duan që të vendosim ad-hok të sjellim vendim për rritje të pagës minimale në 450euro. Ne ju themi që në bazë të asaj metodologjie që ata vet e kanë nënshkruar, do i shohim përllogaritjet në mars dhe do të dalim të informojmë edhe opinionin e gjerë edhe ata se sa do të jetë paga minimale. Nëqoftëse ne pranojmë kërkesën e tyre të vendosim ad-hok pagë minimale të tillë, do të duhet që të nisim iniciativën për ndryshim të metodologjisë. Të ndryshohet ligji për përllogaritje të pagës minimale dhe në fund të vijmë në atë të cilën e kërkojnë ata”, shtoi ai.
Sipas metodologjisë aktuale, paga minimale bruto për muajin mars çdo vit harmonizohet me 50% të rritjes së pagës mesatare neto për vitin e kaluar, dhe 50% nga rritja e indeksit të harxhimeve për jetë për vitin e kaluar. Sipas kësaj metodologjie, në marsin e vitit të kaluar paga minimale u rrit për 12,1% dhe për momentin shënon 22,567 denarë./Alsat.mk