Policia e Krujës ka arrestuar një 19 vjeçar, ndërsa ka shpallur në kërkim vëllain e tij 17 vjeçar, pasi kërcënuan xhaxhain e tyre se do ta vrisnin.
Në pranga ka rënë Fatbardh Mali, i cili është kapur pas ndërhyrjes së policisë pranë banesës në Bubq.
Sipas bluve, 19-vjeçar së bashku me të vëllanë kërcënuan me kallashnikov xhaxhanë e tyre.
Në këtë moment ka ndërhyrë babai i dy vëllezërve, por edhe ai është kërcënuar se do të vritej me kallashnikov.
Sherri mes dy vëllezërve dhe xhaxhait te tyre ka nisur disa ditë më parë.
Fatbardh Mali dhe i vëllai i kanë marrë disa herë shuma të konsiderueshme prash nëpërmjet mashtrimit gjyshit të tyre duke pretenduar se kanë probleme me disa persona të tjerë.
Kur ka marrë vesh këtë mashtrim xhaxhai i dy vëllezërve ka kryer kallëzim ndaj nipave më komisariatin e Krujës.
Pasi janë thirrur në polici dy vëllezërit nuk janë paraqitur por kanë marrë një kallashnikov dhe i kanë shkuar në banesë xhaxhait te tyre duke e kërcënuar se do ta vrisnin nëse nuk do të tërhiqte kallëzimin ndaj tyre.
Pas kontrolleve policia ka gjetur edhe kallashnikovin që dyshohet se është përdorur për kanosjen.
Policia po heton dy të rinjtë edhe për ngjarje te tjera pasi ka dyshime se janë të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike.
Ndërkohë vijon puna për kapjen e 17-vjeçarit dhe për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Prevention”, për parandalimin e një ngjarjeje të mundshme kriminale.
Kanosën me armë zjarri, xhaxhanë e tyre, që të tërhiqte kallëzimin e bërë për ta, vihet në pranga 19-vjeçari, shpallet në kërkim vëllai i tij.
Sekuestrohet arma e zjarrit kallashnikov.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Bubq, dy shtetas kishin kanosur me armë zjarri, xhaxhanë e tyre, kanë organizuar menjeherë punën për parandalimin e ngjarjes së mundshme kriminale dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë penale.
Si rezultat i veprimeve të shpejta, është kapur dhe arrestuar shtetasi F. M., 19 vjeç. Gjithashtu, u shpall në kërkim vëllai i tij 17 vjeç.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta dy shtetas kanë kanosur me armë zjarri, xhaxhanë e tyre, që të tërhiqte kallëzimin e bërë për ta, për mashtrim. Gjithashtu, dyshohet se dy vëllezërit kanë kanosur dhe babanë e tyre.
Shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit automatik që dyshohet se është përdorur për kanosjen.
Vijon puna për kapjen e 17-vjeçarit dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.