Propozimi për shkarkimin e Kocevskit ende nuk është dorëzuar në Këshillin e Prokurorëve Publikë

Gazetar: Mihajllo Donev

Propozimi për shkarkimin e prokurorit publik të shtetit Ljupço Kocevski ende nuk është dorëzuar në Këshillin e Prokurorëve Publik. Qeveria në seancën e nesërme fillimisht do ta shqyrtojë mendimin e dorëzuar nga Ministria e Drejtësisë e më pas do të duhet të hidhet iniciativa para anëtarëve të këshillit.

“Në seancën e nesërme të qeverisë do të shqyrtohet mendimi i dorëzuar nga Ministria e Drejtësisë, pas së cilës do t’i dorëzohet Këshillit të Prokurorëve Publikë, në përputhje me detyrimet ligjore. Si Qeveri, do të vazhdojmë të ndërmarrim aktivitete që synojnë përmirësimin e funksionimit të sistemit gjyqësor, besimi i qytetarëve ka rënë shumë dhe për këtë arsye jemi të përkushtuar fuqishëm që përfundimisht të mbizotërojë ligji dhe të kemi shtet të së drejtës”, njoftojnë nga Qeveria.

Qeveria kërkoi shkarkimin e Kocevskit, ndër të tjera, sepse pretendojnë se Këshilli i Prokurorëve Publikë në mënyrë të kundërligjshme ka emëruar shef të ri të Prokurorisë së Lartë Publike të Shkupit, ndërsa procedura disiplinore ndaj Mustafa Hajrullahit, i cili e drejtonte këtë prokurori, është në vazhdim e sipër. Mirëpo, Hajrullahi beson se ky veprim i Kocevskit nuk është arsyeja e vetme për ta kërkuar largimin e tij.

“Arsyeja e shkarkimit të tij është njohja e pamjaftueshme e ligjit, njohja e pamjaftueshme e dispozitave të ligjit për prokurorinë publike dhe, për fat të keq, kontrolli i plotë nga ana e Gavrill Bubevskit ndaj prokurorit, i cili për fat të keq i ka ndjekur dhe i ka plotësuar dëshirat e tij në mënyrë të përpiktë”, deklaroi Mustafa Hajrulahi, shef i suspenduar i Prokurorisë së Lartë Publike të Shkupit.

Në mendimin e Drejtësisë thuhet se Kocevski ka vepruar në rastet në të cilat ka pasur konflikt interesi dhe se për këtë është dashur paraprakisht të jetë në dijeni dhe të tërhiqet nga këto lëndë. Në anën tjetër, pushteti ekzekutiv vazhdimisht e kritikon punën e tij dhe e akuzon Kocevskin se nuk ka vepruar fare në rastet për të cilat ka prova publike. Pasi qeveria nesër ta dërgojë propozimin për shkarkimin e tij në Këshillin e Prokurorëve Publikë, Këshilli do të ketë 15 ditë për t’u përgjigjur, dhe pavarësisht mendimit të Këshillit, Kuvendi do ta ketë fjalën e fundit për shkarkimin e Kocevskit. Për shkarkimin e një prokurori publik të shtetit kërkohet shumicë prej dy të tretave. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme