Detaje të reja janë mësuar në lidhje me aksidentin e rëndë automobilistik që ndodhi sot rreth orës 14:00 në aksin kombëtar Tepelenë-Gjirokastër, pranë Liqenit të Viroit.
Dy automjete, njëri prej të cilëve ishte i ushtrisë me targa të FA, janë përplasur, duke shkaktuar vdekjen e dy personave.
Njëri prej viktimave është identifikuar si Pano Kalanderi (drejtues i mjetit), ndërsa identiteti i viktimës së dytë është Shefki Salaria (pasagjer)
Ndërkohë, drejtuesi i mjetit të ushtrisë është transportuar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Mësohet se mjeti i ushtrisë ishte duke transportuar materiale të arkivit të Gjirokastrës, në momentin që është aksidentuar.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë, zjarrfikësit dhe dy autoambulanca me personel mjekësor. Zjarrfikësit kanë fikur zjarrin që kishte shpërthyer si pasojë e përplasjes.
Sipas të dhënave paraprake, shkak i aksidentit dyshohet të jetë lagështira në rrugë dhe pakujdesia në drejtimin e mjetit.
Autoritetet po hetojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e këtij aksidenti tragjik.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 14:00, në aksin rrugor “Gjirokastër-Tepelenë”, në vendin e quajtur “Kthesa e Viroit”, automjeti tip “Volkswagen Cady” me drejtues shtetasin P. K., 58 vjeç, banues në Gjirokastër është përplasur me automjetin tip “Mad” (automjet i Ushtrisë), me drejtues shtetasin B. Gj., 54 vjeç, banues në Tiranë.
Si pasojë kanë humbur jetën drejtuesi i mjetit tip “Volkswagen Cady”, shtetasi P. K., dhe pasagjeri në këtë automjet, ende i paidentifikuar.
Gjithashtu, është dëmtuar lehtë shtetasi B. Gj., i cili po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Gjirokastër.
Grupi hetimor vijon punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit dhe për identifikimin e pasagjerit që ka humbur jetën.