-
Të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tregojnë shpërputhje mes rezultatit të dhënë pas numërimit në vendvotime, dhe atij në qendrat komunale të numërimit. Dallimi është për më shumë se 6 mijë vota, të cilat kryesisht u shkuan partive të mëdha politike. Në KQZ nuk dhanë sqarime për gabimet në numërim
Numërimi i votave të partive politike në vendvotime dhe verifikimi i tyre në qendra komunale të numërimit ka nxjerrë shpërputhje në rezultat për 6 mijë e 316 vota.
Nga to, 5 mijë e 888 vota kanë shkuar te subjektet që kaluan pragun zgjedhor dhe te Lista Serbe.
Vetëvendosjes iu konfirmuan 3 mijë e 348 vota më shumë, Partisë Demokratike 1267, Lidhjes Demokratike 1 mijë e 147, koalicionit AAK-Nisma 446 dhe Listës Serbe 126.
Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, gjatë së shtunës nuk dhanë sqarime për këtë dallim në rezultat.
Sipas të dhënave të KQZ-së, në zgjedhje morën pjesë 871 mijë persona, prej tyre 845 mijë janë numëruar si vota të rregullta.
Verifikimi i votave të subjekteve politike dhe numërimi i atyre të kandidatëve për deputetë do t’i paraprijë procesit të numërimit të votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe atyre nga votimi jashtë Kosovës.
Në KQZ thanë se numërimi i tyre do të nisë javën e ardhshme.
“Pas përfundimit të të gjitha procedurave, siç janë: skanimi i listës së votuesve të nënshkruar në vendvotimet e rregullta me qëllim të krahasimit me votuesit nga vendvotimet me kusht; vlerësimi i pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, KQZ-ja do të fillojë me numërimin e votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave nga votimi jashtë Kosovës. Kjo do të bëhet gjatë javës së ardhshme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”, ka thënë zëdhënësi Valmir Elezi.
Aktualisht pa u numëruar janë 12 mijë e 801 zarfe me fletëvotime me kusht, 2 mijë e 597 vota të personave me nevoja të veçanta, 15 mijë e 352 vota të hedhura në përfaqësitë diplomatike dhe 69 mijë pako me fletëvotime që KQZ-ja i ka pranuar përmes postës.
Aktualisht, KQZ-ja është duke bërë vlerësimin e pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës.
“Janë aprovuar 51,140 dërgesa, ndërkaq janë refuzuar 3,269. Arsyeja se përse janë refuzuar këto dërgesa, është se ato janë dërguar nga persona që janë anuluar gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës; u mungon dëftesa e regjistrimit; janë dërguar më shumë se një herë; kanë dërguar më shumë se një fletëvotim, etj.”, ka thënë zëdhënësi Elezi.
KQZ-ja nuk ka arritur ta përmbyllë procesin e numërimit të votave as dy javë pas mbajtjes së zgjedhjeve.
Bazuar në uebfaqe, ka mbetur vetëm një vendvotim pa u procesuar prej 2 mijë e 533 sosh në listën e rezultateve për kandidatët për deputetë dhe subjektet politike nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Vendvotimi i vetëm nga i cili nuk janë përditësuar të dhënat është në komunën e Mitrovicës, ku deri tash janë procesuar 104 prej 105 vendvotimeve.
Me Ligjin e ri për zgjedhjet, votat e kandidatëve për deputetë janë numëruar ndaras në Qendrat Komunale të Numërimit. Ky proces ka nisur me vonesë, ndërsa organizatat për monitorim të zgjedhjeve e kanë kritikuar vetë KQZ-në se nuk është përgatitur mjaftueshëm mirë për procesin.
Nga procesimi i 99.96 për qind e vendvotimeve nga numërimi në qendra komunale, sipas uebfaqes së KQZ-së, LVV-ja i ka marrë 40.90 për qind të votave. PDK-ja është e dyta me 22.03 për qind, ndërsa LDK-ja e treta me 17.64 për qind. Koalicioni AAK-Nisma është subjekti i katërt që ka siguruar kalimin e pragut me 7.46 për qind.
Sa u përket ulëseve në Kuvend, përqindja aktuale ia mundëson LVV-së 47 ulëse, PDK-së 25, LDK-së 20 dhe koalicionit AAK-Nisma 8.
LVV-ja, e cila ka siguruar më së shumti vota në këtë proces zgjedhor, është zotuar se do ta formojë Qeverinë e re, ndonëse me rezultatet aktuale, ajo nuk i ka 61 deputetë për miratim të kabinetit të ri qeveritar.
Analistët politikë kanë përmendur mundësinë e bashkimit të forcave të LVV-së me komunitetet joserbe, që i kanë 10 ulëse të garantuara në Kuvend.
Partitë opozitare, PDK, LDK, dhe AAK, kanë hedhur poshtë mundësinë e krijimit të koalicionit me LVV-në dhe kanë shprehur gatishmëri për formimin e një Qeverie së bashku. Por, është Fatmir Limaj i Nismës që ka siguruar tri mandate, ai i cili ka lënë të hapur mundësinë e bashkimit të forcave me LVV-në.
Rezultati mund të ndërrojë në ditët në vijim, kur pritet të nisë numërimi i votave me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe mbi 80 mijë vota nga diaspora.