Gazetar: Bashkim Sulejmani
Edhe pse temperatura është minus një, ata janë të detyruar që të dalin që orën e edukatës fizike, në mungesë të sallës së sportit, dhe aktivitetin fizik në shkollë ta zhvillojnë kështu, në këtë të ftohtë.
Bëjnë aktivitete fizike në të ftohtë, ose humbin shumë nga mësimi i edukatës fizike, thotë arsimtari i këtyre nxënësve, i cili kërkon që, pushteti lokal por edhe ai qendror, të marrin masa sa më shpejtë, që të ndërtojnë sallat e sportit.
“Me të vërtetë humbin nxënësit. Plani që kemi nuk realizohet në tërësi, dhe normal se presim nga viti në vit të fillojë ndërtimi, por në shumë shkolla fillore duhet një proces më i shpejtë për të filluar ndërtimi që të mos humbin fëmijët, arsimtarët e tjera”, tha Bekim Osmani. Arsimtar i edukatës fizike.
Në qytetin e Tetovës, nga gjithësej 12 shkolla fillore, 7 prej tyre janë pa salla të sportit. Komuna ka premtuar ndërtimin e tyre, por ende nuk ka asnjë hap konkret në këtë drejtim. Sektori për arsim i Komunës së Tetovës, fajin e hedh tek Ministria e Arsimit. Thonë që do fillojë ndërtimi i dy sallave këtë vit, por nuk ka një afat se kur dhe ku do përfundojë ndërtimi.
“Shkollat qendrore apo që janë në brendi të qytetit janë pa salla sporti. Në komunikimin e fundit që patëm me Ministren e Arsimit bashkë edhe me kreun e komunës, nga Ministria për arsim u shpalos ky projekt për ndërtimin e gjashtë sallave të sportit në qytetin e Tetovës. Gjatë këtij viti nga Ministria u potencua se do filloj ndërtimi i dy sallave me mjete të Qeverisë, pra në takimin e fundit që e patëm, pas përfundimit të procedurave të tenderimit do ulet kryetari bashkë me ministrin për caktimin e prioritetit se në cilat shkolla do fillojë ndërtimi”, tha Nazmi Dauti. Sektori për arsim i komunës së Tetovës.
Situatë e njëjtë me sallat e sportit është edhe në shumicën e shkollave fillore në komunat rurale, të cilat, nga krerët e komunave po premtohen pothuajse në secalin cikël zgjedhor, por asnjëherë nuk filloi ndërtimi i këtyre sallave dhe fëmijët, gjatë dimrit, orën e edukatës fizike e zhvillojnë duke ndenjur në klasë, ose duke dalë në temperatura të ulëta për të luajtur në oborret e shkollave./Alsat.mk