Një punonjës i cili u dëmtua në sy duke sjellë dhe humbje të shikimit, ka bërë që të shpallet në kërkim administratori i kompanisë ku ai punonte.
Në kërkim është shpallur shtetasi Trifon Murataj, administrator i BanaKing.
Ngjarja ka ndodhur me datë 18 shkurt, kur punonjësi A.G.,48 vjeç, i cili operon në portin e Durrësit për kompaninë, u dëmtua aksidentalisht në sy përgjatë orarit të punës.
Murataj akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Njoftim
Durrës
Në lidhje me një lajm të publikuar në media, për dëmtimin e një shtetasi në vendin e punës, bëjmë me dije se:
Më datë 18.02.2025, shtetasi A. G., 48 vjeç, banues në Durrës, punonjës i një kompanie që operon në portin e Durrësit, është dëmtuar aksidentalisht në sy, gjatë punës.
Për këtë rast, ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, grupi hetimor, i cili ka kryer veprimet e para për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e shtetasve përgjegjës.
Materialet procedurale për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës i kanë referuar në Prokurorinë e Durrësit, më datë 18.02.2025.
Në vijim të veprimeve, më datë 18.02.2025, është shpallur në kërkim shtetasi T. M., 56 vjeç, banues në Tiranë, administratori i kompanisë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Vijon puna për kapjen e tij.
***
NUK ËSHTË HERA E PARË QË TRIFON MURATAJ SHPALLET NË KËRKIM
Me datë 4 nëntor 2022, në portin e Durrësit, u gjetën rreth 33 kilogramë kokainë, të fshehur mes arkave të BanaKing. Lënda narkotike vinte prej Ekuadorit, e për këtë arsye u shpall në kërkim Trifon Murataj.
Ky i fundit mohoi lidhjen e tij me kokainën e gjetur mes arkave të kompanisë së tij.
ITINERARI
Kontejneri me banane ishte nisur në tetor të vitit 2022 nga Ekuadori, pas porosisë së dhënë nga kompania e importit të bananeve. Kontejneri ka qëndruar përreth një javë në portin e Durrësit dhe më pas, një telefonatë anonime ka vënë në lëvizje Policinë Kufitare.
Sasia prej 33.5 kg kokainë u zbulua në arkat me banane të “Banaking”, teksa dyshime ka dhe për kontejnerët e tjerë. Mësohet gjithashtu që kompania “Zico” ka lajmëruar autoritetet që të zhvilloheshin kontrolle brenda arkave me banane, pasi në të kundërt nuk do ta merrte në dorëzim mallin.
Pas sekuestrimit të lëndës narkotike, ka dyshime se nga kontejnerët është transportuar edhe sasi tjetër kokaine. Në të njëjtën kohë, vazhdojnë kontrollet nga ana e njësive të antidrogës për të zbuluar nëse ka pako të tjera me drogë të fshehur mes bananeve ekuadoriane.
Ky nuk është rasti i parë që kapen sasi kokaine. Më 31 dhjetor të vitit të shkuar, 119 kg kokainë u sekuestruan në kontejnerin me banane të së njëjtës kompani. Kontejneri me banakë ishte kontrolluar fillimisht nga autoritetet italiane që dhanë edhe sinjalizimet. Për rastin u arrestuan tre persona, dy shoferë të kamionit dhe administratori i kompanisë “Zico”, Marson Murataj.
Ndërkohë, më 16 korrik të këtij viti, në kontejnerët e së njëjtës kompani mungonin 49 arka me banane, të cilat dyshohet se u hoqën nga trafikantët e drogës. Në pranga përfunduan vetëm roje të Portit të Durrësit.
“Sipas dokumentacionit të dorëzuar në momentin e mbërritjes kontejneri ishte i ngarkuar me 1200 kuti me mbishkrimin ‘Jumbo Bana King’ të ndara në gjashtë rreshta. Gjatë kontrollit është konstatuar se rreshtat e mesit kishin mungesë dhe zhvendosje të disa kutive, ku mungonin 49 kuti me banane”, thuhet në dosje.