Rrëfimet tronditëse të mjekëve nga Gaza që u mbajtën në burgjet e Izraelit

“Shumë ditë isha i lidhur në një karrige në dhomën e marrjes në pyetje, për ndoshta 15 orë. Nuk më lejohej të flija, të haja e të pija. M’i lidhnin krahët në karrige me shumë dhimbje dhe kur më rrihnin m’i vendosnin duart ose këmbët në gjoks, për të përkulur kurrizin”, tha mjeku Mohammed Abu Selmia.

Mjekët dhe kirurgët përshkruajnë torturën, urinë, poshtërimin dhe mohimin e kujdesit mjekësor që ata duruan derisa po mbaheshin pa akuzë. Mbi 160 mjekë të Gazës po mbahen në burgjet izraelite.

Dr. Mohammed Abu Selmia

Profesioni: shef i Spitalit Al-Shifa
I ndaluar më: 22 nëntor 2023
I liruar më: 1 korrik 2024
Mosha: 51-vjeçar

Shumë ditë isha i lidhur në një karrige në dhomën e marrjes në pyetje, për ndoshta 15 orë. Nuk më lejohej të flija, të haja e të pija. M’i lidhnin krahët në karrige me shumë dhimbje dhe kur më rrihnin m’i vendosnin duart ose këmbët në gjoks, për të përkulur kurrizin.

Pas një muaji më transferuan në kampin Ofer në Ramallah. I tërë procesi i transferimit ishte një nga gjërat më të këqija që kujtoj. Kur futeni për herë të parë në një burg, si dikush nga Gaza, ju i nënshtroheni një fushate të veçantë torture dhe poshtërimi. Atë ditë, katër prej nesh ishim mjekë e asnjëri s’është i ri. Ishte e vështirë ta duroja (torturën).

Sinqerisht, pa marrë parasysh sa gjatë flas për atë që kam përjetuar në paraburgim, është vetëm një pjesëz e asaj që realisht më ka ndodhur. E kam fjalën për rrahje për vdekje, rrahje me kondakë pushke dhe sulmet nga qentë.

Natën më futën në qeli, por nuk të lënë të flesh asnjëherë. Kondicioneri ishte ndezur dhe nuk i fiknin dritat. Ka kamera në qeli që filmojnë. Është e frikshme. Gjatë tërë natës ju dëgjoni zërat e njerëzve përreth jush duke bërtitur. Pashë njerëz që po vdisnin aty. Secila ditë është poshtëruese, secila ditë është degradim.

Dr. Issam Abu Ajwa

Profesioni: kirurg i përgjithshëm në spitalin Al-Ahli
I ndaluar më: 17 dhjetor 2023
I liruar më: 1 korrik 2024
Mosha: 63-vjeçar

Gjatë paraburgimit do të duhej të flije në dysheme, të cilën e mbuluan me gurë të vegjël e të mprehtë me duar, këmbë e sy të lidhur. Ata derdhnin ujë mbi ne, vendosnin ventilatorë dhe sillnin kondicionerë të fuqishëm. Lëshonin muzikë me zë të lartë për 24 orë në ditë.

Gjatë marrjes në pyetje ishte errësirë dhe duart e këmbët e mia ishin të lidhura. Më bënë të qëndroja në majë të gishtave për dy ose tri orë dhe më pas më hidhnin në dysheme dhe më spërkatnin me ujë. Pastaj, tre-katër roje me rrihnin.

Pas disa muajsh në paraburgim, më transferuan në burgun e Negevit në shkretëtirë. Ishte verë dhe shumë nxehtë. Na mbyllën brenda në tenda. Na u desh të kërkonim leje për përdorimin e banjës, por të sëmurët s’lejoheshin.

Ne u infektuam nga zgjeba sepse s’ishim larë e as s’i kishim ndërruar rrobat për gjashtë muaj. Trupi ndihej sikur po digjej, por ata s’na trajtonin.

Mund të pinim ujë të nxehtë nga gypat vetëm një herë në ditë. S’kishim këpucë dhe na detyronin të qëndronim në asfalt me këmbë të zbathura për dy ose tre orë, në nxehtësi 37 gradë Celsius. Ushqimi ishte vetëm kos dhe pak oriz. Kam humbur gjysmën e peshës trupore. Nuk më akuzuan kurrë për asgjë dhe nuk arrita të takohesha me një avokat gjatë shtatë muajve të burgimit.

Dr. Khaled Serr

Profesioni: kirurg në spitalin Nasser në Gaza
I ndaluar më:  25 mars 2024
I liruar më: 1 tetor 2024
Mosha: 33-vjeçar

Më 25 mars ishim në spitalin Nasser, i cili kishte përjetuar shkatërrime të rënda pas sulmeve të ushtrisë izraelite. Na urdhëruan të evakuoheshim nëpërmjet altoparlantëve të montuar në dronë. U larguam nga spitali, ku ishin vendosur mjetet e blinduara dhe ushtarët izraelitë, duke na drejtuar pushkët dhe topat e tankeve.

Na urdhëruan t’i hiqnim rrobat dhe më pas na çuan në rresht në një gropë që ishte përgatitur paraprakisht pranë spitalit. I tërë personeli mjekësor u fut në gropë e më pas na hodhën në një automjet ushtarak dhe na dërguan përtej kufirit nga Rripi i Gazës në Izrael.

Gjatë gjithë kësaj kohe, gjatë transferimit, na kanë rrahur fort. Rrahje brutale në tërë trupin tonë. Kam pësuar fraktura të kockave në anën e djathtë, gjë që më ka prekur shumë gjatë tre-katër muajve të para të paraburgimit. Unë kurrë s’kam marrë ndonjë trajtim mjekësor.

Pas dy-tre orësh arritëm në burg. Emrat dhe numrat tanë na i morën dhe me sy të mbuluar e me duar të lidhura me pranga metalike, na dërguan në kampin e paraburgimit Sde Teiman.

Më çuan në një hapësirë  të rrethuar me hekura metalikë, si një magazinë. Na dhanë një dyshek që nuk ishte më shumë se gjysmë centimetri i trashë dhe më pas na u desh të uleshim në të njëjtin pozicion, nga ora 5 e mëngjesit deri në 22:00. E kishim absolutisht të ndaluar të flisnim. Sytë i kishim të lidhur gjatë tërë kohës, me duar në pranga metalike.

Isha në një gjendje shoku, në mohim të plotë të isha brenda atij burgu dhe u përpoqa të shmangia që mendimin se ishte dënim. Megjithatë, në ditën e tretë, një njësi izraelite e burgut sulmoi burgun me qen dhe shkopinj. Na urdhëruan të shtriheshim përtokë. Nëse dikush do të çonte kokën, do t’i nënshtrohej rrahjes së rëndë. Më rrahën aty ku isha shtrirë dhe dëgjova britmat e të burgosurve (të cilët ishin veçuar).

Shumë prej tyre mbetën me paaftësi të përjetshme.

Dr. Bassam Miqdad

Profesioni: drejtor i Klinikës Ortopedike në spitalin evropian
I ndaluar më: 24 janar 2024
I liruar më: 1 korrik 2024
Mosha: 58-vjeçar

Në Gazë jemi mësuar me luftën, por kësaj radhe ishte ndryshe. Në spital (gjatë luftës) nisni ta humbisni shpirtin për shkak të tmerreve që i shihnim përditë. Gjëra që janë vështirë të përshkruhen ose të shprehen me fjalë pasi ishin kaq të tmerrshme. Ditë pas dite, shtohej rraskapitja e puna. Isha vazhdimisht në prag të rënies.

Më hoqën nga rreshti në një pikë kontrolli kur isha me familjen time duke u përpjekur të largohesha nga Khan Younis, i cili ishte nën rrethim. Më thanë t’i hiqja rrobat, pos të brendshmeve dhe gjithçka tjetër e lashë në tokë – letërnjoftimin, madje edhe çorapet dhe më duhej të ecja zbathur.

Më pyetën për emrin dhe profesionin tim, e kur iu thashë se isha mjek, më prangosën dhe m’i lidhën sytë. S’e dija çfarë po ndodhte. Përreth meje dëgjoja njerëz që bërtisnin. Pastaj një grup ushtarësh nisi të më rrihte.

Të gjithëve na futën në një mjet transporti ku na rrahën me shkopinj. Urinuan mbi ne. Përdorën fjalë mallkuese që s’mund t’i përsëris. Në mjetin transportues ishim grumbull, e njerëzit të shtrirë mbi ne. Të gjithë ishim ende me sy të lidhur e të prangosur. Më thanë të hidhesha poshtë dhe u rrëzova e theva kyçin e këmbës. Por, më duhej të ngrihesha dhe të ecja me këtë lëndim e me shpinën e përkulur për 90 shkallë.

Dr Mahmoud Abu Shehada

Profesioni:  shef i Kirurgjisë Ortopedike, në spitalin Nasser
I ndaluar më: 22 nëntor 2023
I liruar më: 1 korrik 2024
Mosha: 42-vjeçar

I tërë stafi mjekësor ishte rreshtuar mes godinës së administratës dhe godinës së vjetër të Nasserit. Na thanë t’i hiqnim rrobat, e më pas na transferuan në maternitet ku na kontrolluan identitetin. Na vunë prangat pas shpine, na i lidhën sytë dhe na dërguan në katin përdhes të ndërtesës. Na poshtëruan, na turpëruan dhe na rrahën fort. Nga mbrëmja e së premtes vonë deri në orët e para të mëngjesit të së shtunës, mbetëm të mërdhirë dhe të zhveshur, me ujë të ftohtë që u hodh mbi ne.
Në agimin e datës 17, na ngarkuan në kamionë të mëdhenj e të hapur dhe na transferuan në qendrat e paraburgimit në Izrael. Na hodhën ujë dhe na rrahën fort gjatë këtij transferimi.

Më vonë, na transferuan në kampin Ofer, që përbëhej nga dhoma, ku secila kishte nga 15 deri në 20 të burgosur. Aty vazhduan të na rrihnin dhe të na poshtëronin. Grupe ushtarësh futeshin në dhomë të veshur me maska. Merrnin bukën e ujin dhe na i hidhnin jashtë. 

Kam kaluar gati tre muaj në Ofer. Ushqimi që na dhanë ishin copa të vogla buke me një sasi të vogël kos dhe një lugë reçel. S’ishte e mjaftueshme.

Dr. Said Maarouf

Profesioni:  pediatër në spitalin Al-Ahli Arab
I ndaluar më: 18 dhjetor 2023
I liruar më: 2 shkurt 2024
Mosha: 57-vjeçar

Kur nisi lufta, unë vazhdova punën. Kishte shumë të lënduar dhe sëmundja përhapej, por ne mjekët ishim shumë të paktë. Unë isha në spitalin Kamal Adwan dhe qëndrova atje derisa morëm urdhër nga ushtria izraelite të largoheshim nga spitali. U largova dhe shkova në spitalin al-Ahli, ku më arrestuan.

Më arrestuan në spital së bashku me djalin tim, i cili është student i mjekësisë në vitin e parë të universitetit. Na torturuan që në start. Për dyzetepesë ditë kam qenë nën një presion të madh dhe kam qenë i uritur, në kampin e paraburgimit Sde Teiman. Isha i rraskapitur dhe i sëmurë. Ata s’na dhanë asnjë trajtim mjekësor. I kam humbur 25 kilogramë. S’mund të qëndroja, të haja apo të lëvizja.

Dr. Saleh Eleiwa

Profesioni: mjek
I ndaluar më: 18 nëntor 2023
I liruar më: 4 korrik 2024
Mosha: 30-vjeçar

Më arrestuan në postbllokun e Netzarimit dhe më mbajtën për gjithsej 138 ditë. Dy ditët e para i kalova në kampin Sde Teiman e më pas u transferova në kampin Ofer ku qëndrova për 130 ditë.

Tortura dhe keqtrajtimi që kalova përshinte zhveshje me forcë, uri, izolim dhe privim nga të drejtat elementare të higjienës, si larja ose ndërrimi i rrobave. Iu nënshtruam rrahjeve të përditshme, na u mohua qasja në trajtim mjekësor dhe na u refuzuan mjekimet. Edhe të paraburgosurit me sëmundje kronike, që i çonin te mjeku, shpesh rriheshin nga mjekët vetë. Marrjet në pyetje ishin të pamëshirshme, duke vijuar me orë.

Dr. Ahmad Mhanna

Profesioni:  anesteziolog dhe specialist i kujdesit intensiv
I ndaluar më: 16 dhjetor 2023
Ende në mbajtje
Mosha: 50-vjeçar

Më dërguan në një kazermë ushtarake ku i kalova 21 ditë. Gjatë kësaj periudhe, më dërguan në atë që e quanin “Disko”, një dhomë për marrje në pyetje me muzikë shurdhuese dhe temperatura të ulëta. Kam fjetur në zhavorr, vetëm me tuta të holla. Më thanë se do të lirohesha atë ditë, por më dërguan në burgun e Nakabit.

Aty poshtërimi u përkeqësua. 

Ata ofendonin familjen dhe fenë time. E linin qenin të pinte nga një tas me ujë dhe më pas e derdhnin pjesën tjetër mbi mua. Rashë në tokë pasi m’i kishin lidhur këmbët. Ata qeshën dhe më goditën në krah. 

Në një moment më detyruan të qëndroja për gjashtë orë në të ftohtë, me krahë të ngritur dhe të lidhur, përpara se të më merrnin në pyetje. Unë ua thashë çdo herë të njëjtën gjë: “Unë jam mjek. Nuk jam asgjë tjetër”. 

Kujdesi mjekësor nuk ekzistonte. Nëse kisha temperaturë natën, refuzonin të më jepnin një qetësues. Sëmundjet e lëkurës ishin përhapur. Frutat dhe perimet mungonin gati plotësisht. Na dhanë një të katërtën e një trangulli ose karote, asnjëherë më shumë. Secila ditë ishte betejë kundër degradimit.

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme