Gazetar: Mihajllo Donev
Dy 14-vjeçarë nga Shkupi do të përballen me kallëzime penale për dërgimin e kërcënimeve të rreme me bombë në shkolla, pasi Sektori kundër terrorizmit në MPB ka dorëzuar njoftimin deri te Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Bëhet fjalë për alarme të rreme që shkaktuan panik në shkollat fillore dhe të mesme të kryeqytetit javën e kaluar.
“Më 19 shkurt, nga celulari i njërit prej të miturve është dërguar e-mail me përmbajtje kërcënuese për vendosjen e bombës në dy shkolla, një fillore dhe një të mesme në Shkup. Gjithashtu, me datë 21.02.2025, nga celulari i të miturit tjetër është dërguar e-mail me përmbajtje kërcënuese për vendosjen e bombës në dy shkolla, një fillore dhe një të mesme në Shkup”, thonë nga MPB.
Nga MPB thonë pas marrjes së mesazhit nga shkollat, janë kryer kontrolle antiterroriste, në të cilat nuk janë gjetur mjete shpërthyese dhe më pas ekipet e posaçme policore kanë arritur të lokalizojnë se nga janë dërguar porositë.
“Pas masave dhe aktiviteteve të marra nga Sektori për Krim Kibernetik, është konfirmuar IMEI i pajisjes celulare të përdorur nga e-maili i përdoruesit nga i cili janë dërguar mesazhet. Pas kontrolleve të kryera, është konstatuar identiteti dhe të miturit më datë 25.02.2025 janë thirrur në stacion policor, ku pas bisedës e kanë pranuar veprën dhe kanë shpjeguar mënyrën e kryerjes së sa”, u shprehën nga MPB.
Gjatë bisedës së policisë me të miturit kanë qenë të pranishëm edhe prindërit e tyre, ndërsa për të siguruar prova, policia ka konfiskuar dy celularë me karta SIM që i kanë përdorur dy 14-vjeçarët./ Alsat.mk